“Në prag të certifikimit të rezultateve zgjedhore të vitit 2017, në konsultim me Zyrën Ligjore të KM dhe me këshilltarin juridik të Kryeministrit, që sot është kryetar i Odës së Avokatëve , në harmoni me nenin 72 të Kushtetutës, si kryeministër në detyrë lirova nga detyra një zëvendës kryeministër dhe 8 ministra…”
Afro një dekadë pas, ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, riktheu një njoftim që, në dukje, rutinë në atë botë – por që, në realitetin e sotëm, shpalos një kontrast të thellë karshi qeverisë aktuale në detyrë – qeverisë me dy këmb mbi Kushtetutë; me “ministra” të certifikuar si deputetë që nuk heqin dorë nga pozitat e tyre në ekzekutiv, teksa hedhin nënshkrime mbi vendime që e shkelin hapur ndarjen e pushteteve.
Mustafa rikujtoi periudhën kur liroi nga detyra 9 anëtarë të kabinitetit Qeverisë që kishin fituar mandatin e deputetit, duke iu përmbajtur asaj që e quajti një “praktikë të domosdoshme” për të shmangur përplasjet ndërmjet funksioneve ekzekutive dhe atyre legjislative.
Ky veprim, sipas tij, u bë si një masë preventive për të ruajtur integritetin dhe ligjshmërinë e Kushtetutës së Kosovës.
“Këtë veprim nuk e ndërmorëm që të jemi shembull i zbatimit të Kushtetutës, por që të preventojmë të mos bëhemi shembull i shkeljes së saj. Në fakt, çdo njëri prej tyre kërkoi që mandati i tij/i saj në qeveri të mos bie në mospërputhshmëri kushtetuese me mandatin legjislativ, edhe pse në atë kohë Kosova nuk e kishte Ligjin për Qeverinë, i cili tani në mënyrë eksplicite e bënë ligjërisht të detyrueshme normën kushtetuese se asnjë person nuk mundet në të njëjtën kohë të ushtroj pozita ekzekutive dhe ato legjislative.” – shkroi Mustafa.
Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Supreme, vendim që i vuri vulën e paligjshmërisë dhe antikushtetueshmërisë së deputetit Albin Kurti dhe dhjetë deputetëve të tjerë “ministra”, që vijojnë të ushtrojnë njëkohësisht dy funksione, Mustafa bëri thirrje që Qeveria në detyrë t’i ndalë veprimet antikushtetuese.
“Këtë e tha edhe Gjykata Supreme para disa ditësh. Qeveria në detyrë nuk duhet ti lejojë vetes veprim antikushtetues dhe të qëndrojë në pushtet në shkelje të ligjit. Sidoqoftë brishtësia e fuqisë pushtetore provohet më së miri kur të biesh nga pushteti. Atëherë jo vetëm se do duhej dhënë përgjegjësi për veprime jo legale dhe jo legjitime por edhe të pret përgjegjësia individuale para ligjit për pasojat e krijuara nga mospërfillja e gjyqësorit.” – tha Mustafa.
Shkeljet kryesore të konstatuara nga Gjykata:
• Përfundimi i mandatit të ministrit
Sipas nenit 28 dhe 29 të Ligjit nr. 08/L-117 për Qeverinë, mandati i anëtarit të Qeverisë përfundon automatikisht me zgjedhjen e tij si deputet. Hekuran Murati u certifikua deputet më 27 mars 2025, ndërsa Udhëzimi u nënshkrua pas certifikimit si deputet.
• Konflikti i interesit dhe papajtueshmëria funksionale
Kushtetuta (neni 71) ndalon ushtrimin e njëkohshëm të funksioneve ekzekutive e ligjislative. Ministri, tashmë deputet, nuk ka pasur mandat ligjor të ushtrojë kompetencat e ministrit.
• Miratim i jashtë-procedurës nga Qeveria në dorëheqje
Neni 31 i Ligjit për Qeverinë kufizon Qeverinë në dorëheqje vetëm në aktivitetet e domosdoshme e të planifikuara; nxjerrja e një udhëzimi të ri fiskal kategorikisht tejkalon këto kompetenca.
• Mospërputhje me procedurën e shqyrtimit dhe miratimit
Neni 11 i Ligjit për Qeverinë përcakton se projekt-aktet nënligjore miratohen paraprakisht nga Qeveria si kolegjium i plotë. Në këtë rast nuk ka asnjë vendim qeveritar që të mbështesë Udhëzimin nr. 01/2025.
Me këto gjetje, Gjykata ka konstatuar se Udhëzimi Administrativ nr. 01/2025 është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat kushtetuese të ndarjes së pushteteve, me ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative dhe me legjislacionin mbi organizimin e Qeverisë.
Për rrjedhojë, ai u shpall i paligjshëm dhe u shfuqizua në tërësi, duke i rikthyer të drejtën legjitime tatimpaguesve ekzistues për të vazhduar operimin me arkat dhe softuerët e fiskalizimit përmes modaliteteve të mëparshme.nacionale