Irani kryen valë të re sulmesh ajrore në Izrael gjatë natës, Netanyahu zotohet për sulme shtesë

Teherani e ka kryer një valë të re sulmesh raketore në Tel Aviv dhe qytete të tjera të Izraelit gjatë natës dhe mëngjesit të së shtunës. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua se ushtria e tij do të ndërmarrë sulme të mëtejshme kundër Iranit.

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

Raketat iraniane — dhe kundërajrorët nga sistemi i mbrojtës izraelite “Kupola e Hekurt” — e ndriçuan qiellin mbi Tel Aviv pas mesnatës. Disa raketa ranë dhe shpërthyen në ndërtesa. Haifa dhe Jerusalemi u sulmuan gjithashtu, thanë zyrtarët ushtarakë.

Të paktën tre njerëz u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga sulmet iraniane, sipas zyrtarëve të emergjencës.

Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi mëngjesin e së shtunës se po godiste dhjetëra raketahedhës në Iran, pasi paraprakisht e kishte shënjestruar mbrojtjen ajrore iraniane në rajonin e Teheranit.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit e paralajmëroi ashpër udhëheqësin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

“Nëse Khamenei vazhdon të hedhë raketa ndaj territoreve izraelite, Teherani do të digjet”, tha Israel Katz, pas një takimi me shefin e shtabit të ushtrisë.

Ndërkohë, përfaqësuesi i Iranit në OKB deklaroi se 78 njerëz u vranë dhe mbi 320 të tjerë u plagosën nga sulmet izraelite.

Televizioni shtetëror raportoi të shtunën se rreth 60 njerëz, përfshirë 20 fëmijë, u vranë nga një sulm izraelit mbi një kompleks banimi në Teheran.

Kjo është dita e dytë radhazi që Irani kryen sulme ajrore në Izraeli, si përgjigje hakmarrëse për një sulm shkatërrues që Izraeli i kreu një ditë më herët kundër objekteve të lidhura me programin bërthamor të Teheranit.

“Sirena u dëgjuan në disa zona të Izraelit pasi u identifikuan raketa nga Irani drejt shtetit të Izraelit”, tha ushtria izraelite.

Nuk ka shenja se përleshjet e reja mes këtyre dy vendeve të Lindjes së Mesme do të ndalen.

Ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve të kthehen në strehimoret kundërajrore, ashtu siç kishin bërë një ditë më parë.

Kjo valë e fundit bombardimesh erdhi pas një dite të vështirë me sulme ajrore nga të dyja palët. Forcat izraelite kanë vazhduar goditjet ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake në Iran, duke vrarë një gjeneral të lartë, zyrtarë të tjerë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë.

Liderët ndërkombëtarë kanë dënuar dhunën, por gjithashtu kanë bërë thirrje për përmbajtje.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e paralajmëroi Iranin të bëjë marrëveshje bërthamore “para se të jetë tepër vonë”, dhe Shtëpia e Bardhë tha se forcat tokësore amerikane kanë ndihmuar Izraelin për t’i rrëzuar raketat iraniane gjatë dy valëve të para.

Më herët, gjeneral izraelit Effie Defrin deklaroi se të dyja valët e raketave të premten përbëheshin nga rreth 100 raketa secila, “shumica e të cilave” u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore.

Ndërkohë, një nga objektivat në Iran që u godit ishte komanda e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Teheran, sipas televizionit shtetëror iranian. Sulmi vrau komandantin e Gardës, gjeneralmajor Hossein Salami, sipas zyrtarëve iranianë.

Bisedimet në Oman “të pakuptimta”, sipas Teheranit

Zyrtarë iranianë dhe amerikanë kishin planifikuar të takoheshin në Oman më 15 qershor për një rund të ri negociatash lidhur me programin bërthamor të Iranit.

Teherani fillimisht hodhi poshtë një propozim amerikan që lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei, e përshkroi si “100 për qind kundër interesave kombëtare”, dhe zyrtarët iranianë thuhet se kanë qenë duke hartuar një kundërpropozim.

Irani ka pohuar vazhdimisht se përpjekjet e tij janë vetëm për qëllime civile dhe jo ushtarake.

Pas sulmeve izraelite, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei, i quajti bisedimet e planifikuara si “të pakuptimta”.

“SHBA-ja bëri një veprim që i bën bisedimet të pakuptimta”, tha Baghaei për televizionin shtetëror. Ai, megjithatë, nuk i shpalli zyrtarisht të anuluara bisedimet.

“Ende nuk është e qartë çfarë do të vendosim për bisedimet e së dielës”, citohet të ketë thënë ai nga faqja gjysmëzyrtare e lajmeve Mizan.

Trump, që po shtyn për negociata mes Uashingtonit dhe Teheranit mbi programin bërthamor iranian, shkroi në rrjetin e tij Truth Social: “Ka ende kohë që kjo masakër… të marrë fund. Irani duhet të bëjë një marrëveshje, para se të mos ketë më asgjë, dhe të shpëtojë atë që dikur njihej si Perandoria Iraniane… THJESHT BËJE, PARA SE TË JETË VONË”.

Më vonë, në një intervistë për ABC News, Trump tha se Irani “u godit aq fort sa mund të goditet. Dhe, pritet edhe më shumë, shumë më tepër”.

Në mes të sulmeve, Netanyahu deklaroi se lufta e tij nuk është me qytetarët iranianë dhe u bëri thirrje atyre të rrëzojnë “diktaturën brutale që ju ka shtypur për 46 vjet”. REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *