I akuzuari për krime lufte Millosh Pleskoviq nën masa të shtuara policore u soll në gjykatë, pritet aktgjykimi

I akuzuari për krime lufte, Millosh Pleskoviq, nën masa të shtuara të Policisë së Kosovës, u soll në Gjykata Themelore në Prishtinë, ku pritet të shpallet aktgjykimi.

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

Para aktgjykimit, avokati Gent Gjini dhe avokati Blend Gjini, që përfaqësojnë familjarët e viktimave, thanë për Ekonomia Online se ky rast është specifik.

“Dallohet nga rastet e tjera, sepse është ushtar serb i grupit të Arkanit “Beretat e kuqe” dhe ky serb ka bërë masakër në qendër të qytetit të Prizrenit. Dallohet shumë dhe është rast i rëndë, ngase nesër për aktgjykim të këtij serbi do të vie nëna 80 vjeçare e binjakëve që i ka masakruar Pleskoviq”, tha Gjini.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 7 qershor 2024, Pleskoviq akuzohet se më 1 shtator 1998, në bashkëkryerje me një grup të armatosur prej 7-8 personash të nacionalitetit serb, ka marrë pjesë në vrasjen e tre civilëve shqiptarë: R.D., B.D. dhe F.B., si dhe plagosjen e të mbijetuarve Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati.

Ngjarja ka ndodhur në Prizren, derisa viktimat po shkonin drejt malit. Sipas aktakuzës, grupi i armatosur serb i kishte ndalur dhe fyer me fjalë në gjuhën serbe, ndërsa Pleskoviq, i identifikuar si pjesëtar i këtij grupi, kishte hapur zjarr me armë të tipit “Kallashnikov”, duke lënë të vdekur tre nga viktimat në vendin e ngjarjes.

Detajet e aktakuzës përshkruajnë një skenë të rëndë: trupat e pajetë të viktimave u ishin dorëzuar familjarëve vetëm pas një jave, në gjendje të rëndë. Njëri prej tyre kishte këmbën e prerë, ndërsa një tjetër nuk kishte kokë.

Për këto veprime, Pleskoviq po akuzohet për veprën penale “Krim lufte kundër popullsisë civile”, e paraparë me nenin 142 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohë e kryerjes së veprës penale.