Me rastin e vizitës së tij në Kosovë, diplomati dhe bashkëpunëtori i afërt me ish-presidentin amerikan Bill Clinton dhe udhëheqësi i fushatës së tij presidenciale, Kristofer Hyland, vizitoi RIT Kosovën, shkollën e Teknologjisë dhe Inxhinierisë e Universitetit të Shkencave të Aplikuara. Drejtuesit e kësaj shkolle vlerësuan lart vizitën e Hyland. “Një avokat i përjetshëm për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, z. Hyland ka udhëhequr fushatat presidenciale të SHBA-së, është angazhuar në diplomacinë globale dhe ka marrë nderime prestigjioze duke përfshirë Çmimin e Paqes Gandhi dhe Urdhrin e Dr. Ibrahim Rugova. Ne jemi mirënjohës për mesazhin e tij frymëzues për rolin e Kosovës në promovimin e demokracisë dhe stabilitetit rajonal!”, thuhet në njoftimin e RIT Kosova.

Ish-zëvendësdrejtori politik kombëtar i fushatës së parë të ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, Christopher Hyland, kohë më parë është dekoruar me “Urdhrin Dr. Ibrahim Rugova” nga presidentja Vjosa Osmani, në shenjë mirënjohjeje për kontributin për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Ndryshe, RIT Kosova është një nga universitetet e para që ofron arsimin dhe trajnimet e nivelit të lartë të teknologjisë dhe inxhinierisë në Kosovë.






