Ish-zyrtar i administratës amerikane, në kohën e presidentit të SHBA-së Bill Clinton, Christopher Hyland ka zhvilluar takim me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. Hyland pas takimit u shpreh optimist se së shpejti do të arrihet konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë. “Kjo krizë që është në Kosovë aktualisht, do të zgjidhet. E ardhmja do të jetë e mirë për Kosovën. Konstituimi i Kuvendit do të ndodhë dhe Qeveria do të formohet”, tha ai.
Sipas Hyland partitë opozitare duhet të ia lejojnë Kurtit edhe një mandat, sepse partia e tij ka marrë më shumë vota sesa partitë opozitare, andaj sipas tij, tani është koha që të arrihen kompromise.
Hyland gjatë deklarimit foli edhe për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, ku theksoi se Serbia është ajo që po bllokon procesin.
“Kosova do të jetë dhe duhet të jetë pjesë e NATO-s. Kosova duhet ta zgjidhë çështjen me Serbinë, por këtu duhet theksuar një gjë, se Serbia është duke e bllokuar një progres të tillë, sepse ata përfitojnë kur nuk ka progres, përfitojnë në të gjitha format nga BE-ja, Rusia, Kina”, deklaroi Hyland.
I pyetur nga RTK, për krizën financiare në transmetuesin publik, Hyland e quajti këtë si një situatë të rrezikshme dhe fatkeqe për mediat.
“Kjo është situatë e rrezikshme, një situatë fatkeqe që gazetarët e televizionit publik rrezikohen, është situatë e pakëndshme, por kjo tregon se çfarë ndodhë kur nuk zbatohet vullneti i popullit, flet për atë se çfarë ndodhë kur institucionet nuk funksionojnë siç duhet të funksionojnë. Shpresoj që kur të gjithë të zgjohen nesër, kur e gjithë kjo shpresojmë se do zgjidhet, secili të shikohet në pasqyrë dhe të thotë ‘ duhet të lëvizim përpara’, kështu që financimi jo vetëm për televizionin publik, por edhe për shumë institucionet të tjera të realizohet”, tha ai. RTK




