Haxhiu: Pranimi i dokumenteve të Serbisë nga Specialja ngre dyshime mbi paanshmërinë e gjyqtarëve

Ministrja në detyrë e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka thënë të enjten se është njoftuar që Gjykata Speciale në Hagë i ka pranuar si prova materiale disa dokumente të dorëzuara nga institucionet shtetërore të Serbisë, duke përmendur Departamentin e Sigurisë Shtetërore, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të ashtuquajturën “Komandë për Kosovën dhe Metohinë”.

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

“Ky zhvillim është thellësisht i papranueshëm. Institucionet në fjalë janë struktura të një regjimi që ka qenë përgjegjës për dhunë sistematike, krime lufte, zhdukje me forcë, gjenocid, spastrime etnike dhe represion brutal ndaj popullit të Kosovës”, ka thënë Haxhiu përmes një postimi në Facebook.

Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar zyrën për media të kësaj Gjykate për të kuptuar më shumë se pse ka vepruar kështu, dhe në çfarë kapaciteti i ka pranuar dokumentet, por nuk ka marrë ende një përgjigje.

Gjykata Speciale – me gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë – është e themeluar me ligje të Kosovës në vitin 2015, por funksionon në Hagë të Holandës dhe i heton krimet e supozuara gjatë luftës në Kosovë.

Ajo i heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Rasti kryesor në Hagë po zhvillohet kundër ish-krerëve të UÇK-së, përkatësisht ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Kosovës, Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë hedhur poshtë të katërtit.

Ndër vite, kjo Gjykatë ka trajtuar edhe lëndë për pengim të drejtësisë dhe shkelje tjera.

Haxhiu ka thënë se pranimi i materialeve të prodhuara nga regjimi serb si burim i besueshëm, përbën “deformim të rëndë të drejtësisë dhe një fyerje të hapur ndaj viktimave të luftës dhe sakrificës për liri”.

Mes tjerash, ministrja Haxhiu ka se ky veprim ngre dyshime serioze mbi paanshmërinë e vetë gjyqtarëve të astit.

“Ky pretendim tronditës bie ndesh me praktika të etabluara të drejtësisë penale ndërkombëtare, sipas të cilave një ndër kriteret më të rëndësishme për vlerësimin e pranueshmërisë së provave është nëse burimi i tyre ka një interes në rezultatin e procesit apo ka indikatorë të tjerë të anshmërisë”, ka deklaruar ajo.

Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka përmbyllur paraqitjen e provave në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në prill të këtij viti dhe tani rendin e ka mbrojtja.

Më herët gjatë javës, Ministria e Drejtësisë se i ka ndarë në total rreth 33 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve.

Organizata e Veteranëve të Luftës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka thënë se e konsideron të turpshme vendosjen e “çmimeve tavan” për tarifat ndaj ekipeve mbrojtëse në Hagë dhe ka kërkuar heqjen e menjëhershme të tyre.

Gjykata Speciale financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian, me kontribute shtesë nga disa shtete të tjera, si Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Norvegjia, Zvicra dhe Turqia. Në dy vjetët e fundit ajo e ka pasur një buxhet prej rreth 100 milionë eurosh.

Në të kaluarën janë mbajtur protesta në Kosovë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë tentuar ta shpërbejnë Gjykatën Speciale më 2017, por pa sukses. REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *