Albulena Haxhiu ka bërë fushatë në konferencë për media.
Ajo ka thënë se dëshiron t’u shërbejë të gjithë deputetëve.
“VV-ja ka dëshmuar vullnetin dhe përmbushur të gjitha detyrimet me qëllim të konstituimit të Kuvendit. Nuk është detyrë profesionale, por gatishmëri për t’i shërbyer të gjithë deputetëve pa asnjë dallim. Gjatë rrugëtimit tim politik, shumë prej jush e keni ndjekur, unë kam qenë deputete e opozitës 10 vjet, ministre për gati 5 vjet. Përgjatë gjithë rrugëtimit, nuk kam pasur funksion apo pozitë unifikuese. Të jesh kryetare e Kuvendit është krejtësisht ndryshe”, tha ajo.
Ajo tha se nëse nuk i merr 61 vota në votim të fshehtë, tërhiqet nga kandidatura.
“Me rastin e votimit të fshehtë, kur votojnë të gjithë deputetët e Kuvendit, ashtu siç ka kërkuar Gjykata Kushtetuese, ashtu siç ka obliguar gjykata, nëse unë si kandidate e propozuar nga VV-ja nuk i marrë së paku 61 vota, tërhiqem nga kandidatura”, tha ajo.




