Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka thënë në Tiranë, të enjten, se ekziston vrull i ri në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), dhe se përpjekjet e mëtejme në Ballkanin Perëndimor për të arritur përparim drejt rrugës evropiane duhet të bazohen mbi parimet e qëndrueshmërisë dhe besimit.
Pas një darke joformale që ai shtroi për pjesëmarrësit e samitit të së premtes të Komunitetit Politik Evropian nga Ballkani Perëndimor dhe për kryeministrin polak, Donald Tusk, Costa shkroi në platformën X, në internet, se parimi i qëndrueshmërisë vlen për të dyja palët.
Përpjekjet e mëtejme për përparim drejt anëtarësimit [të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian] duhet të udhëzohen nga dy parime thelbësore: qëndrueshmëri dhe besim. Qëndrueshmëria për BE-në nënkupton mbajtjen e zgjerimit në krye të agjendës së saj politike, kurse për partnerët do të thotë përputhje me vlerat tona dhe zbatim reformash”, ka thënë Costa.
Ai ka shtuar se besimi, si parim i dytë kyç, “mund të ndërtohet vetëm përmes dialogut të hapur – brenda, mes partnerëve në rajon, dhe me institucionet dhe me shtetet anëtare të BE-së”.
Costa shtroi darkë për udhëheqësit nga Ballkani Perëndimor me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Kaja Kallas, në fund të turneut të tij në rajon, gjatë të cilit ai vizitoi Beogradin, Sarajevën, Podgoricën, Prishtinën, Shkupin dhe Tiranën. REL