Deputeti i kësaj partie dhe ish- kryeministri Avdullah Hoti, është shprehur i zhgënjyer me rezultatin e votave që ka marrë LDK.”Në votimin në ambasada, një parti politike (LVV) është votuar në mënyrë tepër joproporcionale krahasuar me votimin në Kosovë. Në votimin me postë, disa kandidatë të listës së LDK-së janë votuar po ashtu joproporcionalisht krahasuar me votimin në Kosovë. Të dy këto dukuri, kur analizohet komunë për komunë, duket qartë se nuk janë aspak të natyrshme. Ky fenomen ka krijuar pasiguri në gjithë procesin zgjedhor. Përtej kësaj, në rastin e LDK-së është lënduar kohezioni i brendshëm i strukturave të partisë, si dhe është cenuar besimi i votuesit tradicional të LDK-së dhe integriteti që ka pasur shtëpia jonë politike për 35 vite. Prandaj, për të kthyer besimin e anëtarësisë dhe elektoratit të gjerë, LDK-ja ka nevojë për lidership të ri. Nuk ka rrugë tjetër për rikthimin e besimit në LDK. LDK-ja ka nevojë për një lidership me qasje ekipore, që është gjithëpërfshirës, me orientime të qarta politike të qendrës së djathtë, që mbledh rreth vetes profesionistë dhe e rikthen LDK-në në epiqendrën e profesionistëve më të mirë të Kosovës, siç ka qenë LDK-ja.
Ndaj këtij postimi kanë pasuar reagimet e zyrtarëve tjerë që e përkrahin Abdixhikun.
Nënkryetarët e kësaj partie, Gazmend Muhaxheri, Lutfi Haziri, Doarsa Kica Xhelili dhe sekretari Imri Ahmeti kanë deklaruar se ky qëndrim është “qesharak dhe i pakuptimtë”.
“Qysh kur rritet 70% me kërku me u shkarku. Kërkohet me u shkarku dikush kur e zvogëlon partinë jo kur e rritë nuk e di këso logjike ku e kanë pa”, ka deklaruar Gazmend Muhaxheri.
Doarsa Kica Xhelili tha se Abdixhiku ka “mbështetje të plotë” të strukturave të partisë dhe se ai mori partinë në rënien më të madhe historike dhe e kthehu në trendin më të madh të ngritjes.
Përderisa Lutfi Haziri e Imri Ahmeti deklaruan se LDK është e anëtarësisë së saj dhe jo funksionarëve.
“Kryetari i LDK-së, Abdixhiku, erdhi nga një Kuvend i jashtëzakonshëm, si pasojë e rezultatit më të rëndë historik. Ky ishte Kuvend i përballimit të situatës së jashtëzakonshme, me frymë unifikuese e me rrugëtim të përbashkët”, ka shkruar Haziri.