Presidentja Vjosa Osmani, tha se i ka paraqitur të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, vërejtjet e saj për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të prezantuar nga blloku.
Presidenca e Kosovës, përmes një njoftimi, tha se Osmani i ka thënë Sorensenit se këto vërejtje “duhet të trajtohen me seriozitet në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i funksionalitetit të shtetit të Kosovës”.
Në tetor të vitit 2023, BE-ja u dorëzoi Kosovës dhe Serbisë një draft-statut, që e cilësoi modern, për formimin e Asociacionit. Dokumenti u mbështet edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Atëbotë, Osmani kishte thënë se ky dokument duhet t’i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese.
Që atëherë, BE-ja dhe SHBA-ja i kanë kërkuar Kosovës që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese këtë draft-statut, por kjo ende nuk ka ndodhur.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për themelimin e Asociacionit dhe dy vjet më vonë atë për parimet e Asociacionit. Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja mbi parimet nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, duke kërkuar që 23 pika të saj të harmonizohen.
Deri më tani, Kosova ka refuzuar që ta themelojë Asociacionin, ndërkaq Serbia insiston që marrëveshjet për këtë çështje të zbatohen.
Sipas njoftimit, presidentja Osmani tha se Kosova është e përkushtuar ndaj procesit të dialogut me Serbinë, duke “theksuar rëndësinë e një zbatimi të plotë dhe të balancuar të marrëveshjeve të arritura”.
Presidenca tha se Osmani ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese të BE-së – që u vendosën në qershor të vitit 2023 për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës – duke argumentuar se po dëmtojnë edhe procesin e dialogut “duke e bërë atë të pabalancuar”. REL