Në letrën që ua ka dërguar partive politike, ku i informon për certifikimin e zgjedhjeve, i pari i KQZ-së ia ka rikujtuar Qeverisë efektet që shkakton certifikimi me Ligjin për Qeverinë.
Në pjesën e fundit të letrës, Radoniqi ka përmendur zbatimin e nenit 26 paragrafi 1 të Ligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës, i cili thotë se nëse një anëtar i qeverisë bëhet deputet, ai duhet të jap dorëheqje nga posti i anëtari të Qeverisë.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), më datën 26.03.2025, ka pranuar vendimet e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me procesin ankimor ndaj vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me shpalljen e rezultatit përfundimtar të procesit zgjedhor nga ana e KQZ-së. Po ashtu kemi pranuar konfirmimet nga këto dy institucione se nuk kanë ndonjë ankesë tjetër që ka të bëjë me procesin zgjedhor që pret vendimmarrje. Andaj, në zbatim të nenit 26 paragrafi 1 të Ligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës (Ligji Nr.08/L.117), ju njoftojmë se certifikimi i rezultatit të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më datën 09.02.2025, do të bëhet më datën 27.03 .2025 në ora 16:00”, është thënë në letrën e Radoniqit për partitë politike.

Deri me tani, as kryeministri dhe as vartësit e tij nuk kanë dhënë ndonjë shenjë se do të japin dorëheqje.
Njohësit e rrethanave politike dhe opozita kanë bërë me dije se kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministra që janë bërë deputet duhet të japin dorëheqjen para se rezultatet të certifikohen nga KQZ-ja.