Përmes një reagimi në Facebook, Eugen Cakolli nga KDI’ja ka thënë se edhe pse është legjitime që një institucion të ketë rezerva ndaj figurave të caktuara, sidomos nëse ekzistojnë informacione të përsëritura nga institucionet e sigurisë për rrezik ndaj rendit kushtetues, kjo nuk e justifikon tërheqjen nga një rast me rëndësi kaq të madhe.
“Nëse pas tetë vitesh raportimesh të tilla nuk është iniciuar asnjë hetim apo kallëzim penal, atëherë është vështirë të arsyetohet se si një element procedural si caktimi i gjyqtarit raportues mund të shërbejë si arsye për tërheqjen nga një rast me rëndësi thelbësore kushtetuese”, shkruan ai.
Cakolli thekson se gjyqtari raportues nuk vendos as fatin e kërkesës e as përmbajtjen e vendimit, pasi vendimmarrja në Kushtetuese bëhet përmes një paneli të përbërë nga tre gjyqtarë, e më pas, nëse ka kundërshtime, çështja shkon në përbërje të plotë të Gjykatës, ku vendoset me shumicë votash.
Ai paralajmëron se edhe nëse kërkesa është tërhequr, kjo nuk e ndalon Gjykatën që ta trajtojë më tej rastin, nëse ajo vlerëson se ekziston interes publik madhor.
“Në një situatë ku Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit kushtetues dhe vendi ndodhet në vakum institucional, s’ka dilema se ky është një ndër rastet më serioze, që kërkon përgjigje të qartë nga autoriteti i vetëm që ka mandat ta japë atë”, thekson ai.
Cakolli bën thirrje që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë këtë çështje deri në fund, si për hir të funksionimit normal të institucioneve, ashtu edhe për ruajtjen e integritetit të vet si institucion.