Këshilli i Bashkësisë Islame, në Prishtinë, ka mbajtur një konferencë për media për të sqaruar pretendimet e ish-arkëtarit të BIK-ut, Bahri Rexha, sipas të cilit, janë zhdukur 166 mijë euro.Anëtari i Këshillit të Bashkësisë Islame, Bahri Sejdiu, tha se deklaratat e ish-arkëtarit Rexha janë të pabazuara dhe nuk mbështeten në prova dhe fakte. Këshilli i Bashkësisë Islame i Prishtinës, vlerëson se deklaratat e ish-anëtarit, Bahri Rexha, kanë për qellim cenimin e imazhit dhe integritetit te institucionit tonë, veçanërisht gjatë kësaj periudhe te bekuar Ramazani.
“Andaj, me këtë rast, theksojmë se pretendimet e tij janë të pabazuara dhe nuk mbështeten ne fakte apo prova konkrete. Ne si përfaqësues të Këshillit te Bashkësisë Islame të Prishtinës, sigurojmë të gjithë besimtarët se Këshilli dhe te gjitha organet e tij veprojnë ne përputhje të plotë me ligjin dhe standardet me te larta te transparencës dhe llogaridhënies. Çdo mjet financiar i besimtareve administrohet në mënyrë te ligjshme, dhe ne si Këshill, nuk do të lejojmë asnjë keqpërdorim te fondeve apo dëmtim te interesave te besimtarëve tanë”.
Avokati Florim Shefqeti ka deklaruar se nuk ka prova për keqpërdorim nga Këshilli i BIK në Prishtinë, ndërsa ish-arkëtari Bahri Rexha përballet me fakte konkrete.
Sipas tij, dyshimet lidhen me tërheqjen e 11 mijë dhe 17 mijë eurove, pa e ditur destinacionin e tyre, çështje që tashmë është në proces ligjor.