Besnik Kelmendi, politikan shqiptar në Gjermani, ka reaguar në lidhje me krizën aktuale politike në Kosovë. Ai ka bërë thirrje për përgjegjësi dhe unitet ndërmjet pozitës dhe opozitës, duke theksuar se zgjidhja duhet të vijë nga brenda vendit dhe jo nga ndërhyrjet e jashtme. Më poshtë, reagimi i plotë i tij:
“Koha për përgjegjësi dhe unitet politik për të ardhmen e Kosovës”
Gjatë këtyre ditëvë në Kosovë, shumë qytetarë më kanë ndalur dhe më kanë pyetur me shqetësim: “Si do ta zgjidhnit këtë krizë në Gjermani? A duhet të ndërhyjë dikush nga jashtë?”
Si politikan aktiv i CDU-së në Essen dhe njëkohësisht si zyrtar në qeverinë e landit Nordrhein-Westfalen në Gjermani, ndjej detyrim profesional dhe moral të ndaj një mendim të qartë dhe miqësor duke u mbështetur në përvojën time shumëvjeçare në strukturat demokratike të një shteti funksional.
Kjo situatë politike në Kosovë mendoj se kërkon përgjegjësi të brendshme, jo ndërhyrje nga jashtë. Nëse synojmë integrim në Bashkimin Evropian dhe anëtarësim të plotë në Këshillin e Evropës, atëherë duhet të dëshmojmë se mund t’i zgjidhim vetë situatat tona me dialog, pjekuri dhe dinjitet.
Deputetët janë zgjedhur. Populli ka folur. Përfaqësimi në Kuvend është i qartë. Tani është koha për t’u ulur bashkë pozitë dhe opozitë pa vonesa, pa kushte, pa lojëra.
Apeloj me sinqeritet dhe respekt: Në 48 orët e ardhshme, liderët politikë duhet të tregojnë përgjegjësi. Duhet të kthejnë Kuvendin në funksion. Duhet të lënë mënjanë interesat personale e partiake.
Jo për ndonjë favor të përkohshëm politik, por për stabilitetin institucional dhe për të ardhmen evropiane të Kosovës.
Çdo krizë e brendshme që zvarritet, vetëm sa dëmton imazhin e Kosovës dhe krijon pasiguri te qytetarët. Demokracia nuk është thjesht votim është përgjegjësi për t’u marrë me rezultatin dhe për ta respektuar vullnetin e popullit.
Si mik, si shqiptar dhe si zyrtar në qeverinë e landit Nordrhein-Westfalen në Gjermani, më lejoni të them me sinqeritet.
Kosova ka kapacitetin për t’u vetëmenaxhuar. Nuk ka nevojë për ndërmjetësime nga jashtë.
Ka nevojë për pjekuri politike dhe unitet institucional.
Mos ta dëmtojmë këtë imazh që me vite është ndërtuar me mund dhe sakrificë. Le ta forcojmë shtetin. Le ta hapim një faqe të re bashkëpunimi dhe përparimi.
Me respekt,
Besnik Kelmendi CDU