Begaj në OKB: Anëtarësimi i Kosovës është akt drejtësie

  • Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, bëri thirrje për mbështetjen e Kosovës në anëtarësimin e saj në OKB, duke e quajtur këtë akt drejtësie.
  • Kosova përballet me pengesa për anëtarësim në OKB, pasi Rusia dhe Kina, anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, nuk e njohin pavarësinë e saj.
  • Ai po ashtu theksoi se Shqipëria synon t’i përfundojë negociatat për anëtarësim në BE deri në vitin 2027 dhe të bëhet anëtare e plotë deri në vitin 2030.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka bërë thirrje që Kosova të mbështetet në synimet te saj për t’u bërë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) gjatë një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të mërkurën vonë.

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

“Kontributi i saj [Kosovës] për bashkëpunim rajonal dhe më të gjerë është i pamohueshëm, dhe, prapëseprapë, ulësja e Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht e zbrazët”, tha Begaj gjatë fjalimit të tij.

Ai tha se njohja e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetja për anëtarësimin e saj në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare “është akt drejtësie” dhe hap drejt konsolidimit të paqes në Ballkanin Perëndimor.

“Shtatëmbëdhjetë vjet pasi e shpalli pavarësinë, Kosova ka dëshmuar përmes veprimeve të saj se është anëtare e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare, e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit dhe vlerave demokratike, me institucione të fuqishme”, shtoi Begaj.

Qëkurse e shpalli pavarësinë nga Serbia më 2008, Kosova është njohur nga 119 shtete, shumica dërrmuese e tyre anëtare të OKB-së.

Për anëtarësim në OKB nevojitet rekomandim nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, duke pasur në mendje që asnjë prej 5 anëtarëve të përhershëm të këshillit nuk e përdor veton, dhe rekomandimi duhet t’i marrë votat e një shumice prej dy të tretave në Asamblenë e Përgjithshme.

Anëtarësimin e Kosovës në OKB e bën tejet të vështirë fakti se dy nga pesë anëtarët e përhershëm me të drejt vetoje, Kina dhe Rusia, nuk e njohin pavarësinë e saj dhe janë mbështetëse të Serbisë.

Serbia e lufton anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare sepse vazhdon ta cilësojë atë si pjesë të veten.

Këtë qëndrim e përsëriti të mërkurën gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se Kosova është “pjesë e pandashme e Serbisë” dhe “shtylla kryesore e identitetit, kulturës dhe trashëgimisë shpirtërore” të Serbisë.

Ndërkohë, Begaj foli edhe në mbështetje të Ukrainës në përpjekjet e saj për ta luftuar pushtimin nga Rusia.

Ai tha se “për gati katër vjet, besueshmëria e organizatës sonë është vënë në provë nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës”.

Begaj i dënoi shkeljet e Moskës ndaj Kartës së OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare, duke shprehur mbështetje për përpjekjet diplomatike që synojnë paqen.

Duke theksuar se Shqipëria është “më afër se kurrë” për të realizuar ëndrrën e saj të hershme për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, ai tha se synon të përfundojë negociatat deri në vitin 2027 dhe të bëhet anëtare e plotë e bllokut deri në vitin 2030.

Shqipëria këtë muaj i hapi edhe disa kapituj në bisedimet për anëtarësim në BE, duke e çuar në 28 nga 33 gjithsej numrin e kapitujve të hapur. REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *