BE-ja i jep dritën e gjelbër Bullgarisë për anëtarësim në Eurozonë

Ministrat e Financave të Bashkimit Evropian i kanë miratuar hapat përfundimtarë që Bullgaria të bëhet anëtarja e 21-të e Eurozonës prej janarit të vitit 2026, përfshirë përcaktimin e kursit të këmbimit prej valutës bullgare lev në valutën euro.

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

Bullgaria do t’i bashkohet Eurozonës në fillim të vitit 2026 me një kurs këmbimi 1 euro për 1.95583 lev. Sofja tani i ka më pak se gjashtë muaj për t’u përgatitur për tranzicionin teknik.

Ministrat e Financave të vendeve të BE-së kanë dhënë muajin e kaluar mbështetjen formale që Bullgaria t’i bashkohet Eurozonës, marrë parasysh vlerësimet pozitive të Komisionit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane.

Vendimi është mbështetur edhe nga liderët e BE-së në një samit të mbajtur në Bruksel më 26 qershor.

Bullgaria ka bërë përpjekje që të kalojë nga valuta lev në euro, prej kur i është bashkuar bllokut evropian më 2007.

Mirëpo pas një pritjeje të gjatë, shumë shtetas të Bullgarisë e kanë humbur entuziazmin fillestar, dhe tani shkalla e skepticizmit për euron shkon në 50 për qind, sipas një sondazhi të kryer nga Eurobarometri në maj.

Disa bullgarë shqetësohen se ndërrimi i valutës do t’i rrisë çmimet.

Anëtarësimi i Bullgarisë në Eurozonë shënon zgjerimin e këtij grupi për herë të parë pas tre vjetësh, pasi Kroacia ka qenë e fundit që i është bashkuar atij në fillim të vitit 2023.

Pranimi i Bullgarisë në Eurozonë nënkupton se vetëm gjashtë shtete të BE-së, nga 27 në total, do të mbesin jashtë zonës me valutë të përbashkët: Suedia, Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Rumania dhe Danimarka.

Asnjëra prej këtyre vendeve nuk kanë plane të menjëhershme për t’iu bashkuar grupit për arsye politike, apo sepse nuk i kanë plotësuar kushtet ekonomike. REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *