Pas zgjidhjes së një prej çështjeve më të diskutueshmje për të drejtën e aksesit të anijeve të BE-së, në ujërat britanike, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian kanë arritur një marrëveshje të re që duket se shënon një rivendosje të marrëdhënieve post-Brexit.
Sipas raportimeve të The Guardian, marrëveshja e re mes vendeve përfshin; një pakt 12-vjeçar për të drejtat e peshkimit, themelimin e një pakti të ri sigurie dhe mbrojtjeje, për të thelluar bashkëpunimin strategjik dhe operacional mes BE-së dhe MB-së në një botë me sfida të reja gjeopolitike, si dhe tregti të lehtësuar për ushqime dhe bujqësi, në këmbim të aksesit për peshkatarët evropianë.
Ndërkohë janë edhe disa çështje të tjera që kanë mbetur për diskutim, si skema e lëvizshmërisë rinore dhe një marrëveshje veterinare.
Skema e lëvizshmërisë rinore, është një hap i propozuar nga BE-ja për të lejuar të rinjtë 18–30 vjeç të jetojnë dhe punojnë për periudha deri në 4 vjet në të dy drejtimet. Ndërsa, marrëveshja veterinare, ka për qëllim reduktimin e kontrolleve doganore ndaj ushqimeve – një hap që mund të kërkojë përafrim me standardet e BE-së, duke sjellë kështu ndjeshmëri politike në Londër.
Sipas mediave britanike, kjo marrëveshje po shihet si një përpjekje për të zbutur tensionet post-Brexit dhe për të hapur një fazë më bashkëpunuese mes BE-së dhe Britanisë së Madhe.