Policia e rajonit të Prishtinës respektivisht hetuesit e stacionit policor të Lipjanit, kanë arrestuar dy persona të dyshuar lidhur me disa raste të vjedhjeve të rënda të ndodhura nëpër disa Xhami në fshatra të ndryshme të komunës së Lipjanit. Rastet ishin denoncuar në polici përgjatë vitit 2023 dhe 2024, ku dyshohej se, persona të dyshuar kishin vjedhur gjësende të ndryshme e në disa raste kishin dëmtuar dhe asgjësuar edhe pasuri në objektet e Xhamive.
Rasti tjetër ka ndodhur në Prishtinë me ç’rast policia ka arrestuar të dyshuarin A. C, mashkull, 24 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, nën dyshimin e arsyeshëm për implikim në së paku shtatë raste të vjedhjeve të ndodhura në muajt shkurt dhe mars të këtij viti. I njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, dhe ndaj tij është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale të vjedhjes.