Policia e Kosovës dje rreth orës 18:30 i ka arrestuar katër serbë, të cilëve, sipas raportit 24-orësh të Policisë, u janë gjetur dy thika dhe një sëpatë.
“Rr. Gasper Karaqi, Gjakovë / 05.04.2025 – 18:30. Katër të dyshuar meshkuj janë arrestuar për shkak se gjatë kontrollit në bagazhin e veturës së tyre me targa të Serbisë janë gjetur dhe sekuestruar dy thika dhe një sëpatë. Të dyshuarit në konsultim me prokurorin janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Polisië.
Për këtë arrestim i fol edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Pasi u përmend gjendja e sigurisë në vend dhe “planet destabilizuese dhe ndërhyrjet kriminale të Serbisë”, me përmendjen edhe të rastit në Gjakovë, Kryeministri Kurti ka thënë se është kërkuar vëmendje e gatishmëri e lartë nga institucionet e mekanizmat e shtetit.