Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, ka thënë të martën se është thellësisht e shqetësuar nga përpjekjet për të politizuar angazhimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Liqenin e Ujmanit, për gjetjen e trupit të një 33-vjeçari që dyshohet se ka kërcyer nga ura e liqenit dy ditë më parë.
Ujmani gjendet në Zubin Potok, një nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Disa orë pas angazhimit të FSK-së është gjetur trupi i pajetë. Paraprakisht, operacioni i FSK-së e ka marrë dritën e gjelbër nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, me arsyetimin se ka të bëjë me qëllime humanitare.
“Humbja tragjike e jetës së një të riu duhet të jetë moment i pikëllimit kolektiv dhe jo rast për të fituar pikë politike”, ka thënë Ambasada gjermane.
Sipas saj, deklaratat e aktorëve politikë se ky mision i FSK-së është “i pari në veri të Kosovës”, vetëm se e keqinterpretojnë qëllimin e angazhimit.
“Po aq shqetësuese janë edhe akuzat për manipulim me fotografi – konkretisht, heqja e elementëve të dukshëm të shoqërimit të KFOR-it – për të promovuar narrativë mashtruese. Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut dhe të heqin vëmendjen nga fokusi humanitar i misionit”, është thënë mes tjerash në reagim.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta konfirmojë nëse është bërë manipulim me fotografi.
Ambasada ka thënë se mbështet plotësisht misionin e KFOR-it dhe vlerëson përpjekjet e këtij misioni, si dhe të FSK-së, për kërkim-shpëtim.
“Profesionalizimi i tyre dhe bashkëpunimi janë në të mirë të publikut dhe shërbejnë si përkujtim se çfarë mund të arrihet kur institucionet punojnë së bashku në shërbim të dinjitetit njerëzor”.
Përmes një postimi në Facebook, FSK-ja ka thënë se operacioni është zhvilluar në koordinim me Policinë e Kosovës, misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave.
“Trupi u është dorëzuar autoriteteve për procedurat e mëtejme hetimore”, është thënë mes tjerash në Facebook.
Operacioni është realizuar me urdhër të komandantit të FSK-së, Gjenerallejtnant Bashkim Jashari.
Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s. Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.
Pas këtij rasti Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos kërcejnë nga ura në Ujman.
Ndryshe, FSK-ja është në proces të transformimit të saj në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028. REL