Në një kohë të ndjeshme për qytetarët dhe bizneset, çdo vendim që ndikon direkt në jetën dhe ekonominë e përditshme duhet të shqyrtohet me kujdes të shtuar, thotë ekonomisti Armend Aliu. Ai ka shkruar në facebook se pa i paragjykuar qëllimet e këtij vendimi, koha nuk është e përshtatshme për një rritje tjetër të çmimit të energjisë elektrike. “Kostoja e jetesës është veçse në rritje, dhe ky ndryshim mund të sjellë ndikime të panevojshme (nëse veq është tendencë e dikujt kjo). Unë mendoj se ka hapsirë dhe kështu mund të shqyrtohen ndoshta disa alternativa, si psh: Heqja përkohësisht e TVSH-së në faturat e energjisë, si një lehtësim direkt për qytetarët.
– Mbështetje për shtresat më të ndjeshme përmes subvencioneve ose bonuseve sezonale.
– Investime më të mëdha në energji të ripërtëritshme dhe eficiencë energjetike, për të ulur kostot afatgjata (sidomos liberalizim të paisjet me licenca për energji me diell),
– Një fushatë informimi dhe konsultimi me publikun, për të ndërtuar mirëkuptim dhe përfshirje të drejtpërdrejtë”. Ka thënë Aliu. Tutje ai beson se vendimet e mëdha duhet të ndërtohen mbi një dialog dhe ndjeshmëri më të madhe, për një zhvillim të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe socialisht të drejtë.
