Një automjet, që po transportonte nxënës, është aksidentuar paraditen e 13 marsit në Vushtrri, duke lënë të vdekur shoferin dhe duke lënduar disa nxënës.
Policia e Kosovës tha se aksidenti raportohet se ka ndodhur rreth orës 08:00 në fshatin Galicë të Vushtrrisë, duke shtuar se Shërbimi Spitalor Klinik Universitar njoftoi disa orë më vonë se shoferi, 59 vjeç, ndërroi jetë si pasojë e lëndimeve të marra.
Sipas autoriteteve edhe shtatë persona të tjerë, që gjendeshin në automjetin e aksidentuar, janë lënduar gjatë këtij aksidenti trafiku.
“Nga hetimet e para të zhvilluara në vendngjarje, bëhet e ditur se si shkaktar i aksidentit dyshohet të ketë qenë pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës ku për pasojë vetura përfundon jashtë rruge”, u tha në njoftimin e Policisë.