Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij do të votojë raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit sapo që Albin Kurti dhe ministrat e zgjedhur deputetë të japin dorëheqjen.
Ndërprerjen e seancës së sotme të Kuvendit ai e konsideroi si “një episod i errët në demokracinë parlamentare ku partia fituese nuk e respekton rregullin bazik kushtetues ku thotë që një i zgjedhur nuk mund të jetë kryeministër, ministër dhe deputet”.
Ai tha se qëndrimi i Vetëvendosjes është “jokushtetuese që bëhet si pjesë e një loje politike për të zvarritur edhe më shumë krijimin e institucioneve dhe për të blerë kohë”.
“Zgjidhja është shumë e thjeshtë: të japin dorëheqje prej pozitave që kanë dhe të ulen në ulëset e Kuvendit dhe të bëjnë betimin si deputetë”.
“Po i shihni se janë pjesë e një mendësie të njëjtë polarizuese, ata që komunikojnë me mesazhe për bërjen e votave nga Listën Srpska për qeverinë e ardhshme më së paku duhet të flasin për koordinime të tilla”.
Për letrën e publikuar që Kurti thotë se ka dhënë dorëheqje bashkë me kabinetin e tij më 23 mars, Abdixhiku tha se s’mund të jepet edhe dorëheqja edhe të vazhdohet puna nëpër zyre.