Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina po punojnë për një plan armëpushimi që më pas t’ia dërgojnë Shteteve të Bashkuara. Kështu tha më 2 mars kryeministri britanik, Keir Starmer, teksa udhëheqësit evropianë u mblodhën për bisedime në Londër pas vizitës katastrofike të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Uashington më herët gjatë kësaj jave.
“Mbretëria e Bashkuar së bashku me Francën, dhe ndoshta me një apo dy të tjerë, do të punojnë me Ukrainën mbi një plan për të ndalur luftimet dhe më pas ne do ta diskutojmë atë plan me SHBA-në”, tha Starmer për BBC-në.
Starmer po ashtu theksoi se çdo marrëveshje e paqes për Ukrainën do të kërkonte që SHBA-ja të japë garanci të sigurisë, që është një nga pikat që Zelensky dhe Trump u përplasën gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë më 28 shkurt.
“Unë gjithmonë kam qenë i qartë se do të duhet një siguri e SHBA-së sepse nuk mendoj se mund të garantohet pa të”, tha Starmer për BBC.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, janë në mesin e dhjetëra udhëheqësve evropianë që iu bashkuan Starmerit dhe Zelenskyt për bisedime në Londër.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, dhe ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, po ashtu po marrin pjesë në samitin e sigurisë.
Një ditë më herët, kryeministri britanik mirëpriti Zelenskyn në zyrën e tij dhe pas takimit u njoftua për një hua në vlerë prej 2.84 miliardë dollarësh për Ukrainën.
“Kjo hua do të rrisë kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës dhe do të rikthehet duke përdorur të ardhurat nga asetet e ngrira ruse”, deklaroi Zelensky përmes rrjeteve sociale.
Kjo nuk është një shumë që ndryshon lojën, por ofron një lloj ngushëllimi për Zelenskyn, pas përplasjes së paprecedent dhe të ashpër me presidentin amerikan, Donald Trump, pas së cilës ai u largua më 28 shkurt nga Shtëpia e Bardhë më herët seç pritej dhe duarbosh.
Fituesi i zgjedhjeve të fundit parlamentare në Gjermani, Friedrich Merz, deklaroi një javë më parë se Evropa duhet të “pavarësohet” nga Shtetet e Bashkuara.
Pas vizitës së Zelenskyt në Uashington, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se do të mbështeste masa për të ndihmuar Ukrainën që “t’i bëjë ballë agresionit të Rusisë edhe nëse Shtetet e Bashkuara tërheqin mbështetjen e tyre”. REL