Gjermania dhe Franca sot i kanë përforcuar kërkesat ndaj Kosovës për nisjen e zbatimit të zotimit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ambasadorët e këtyre vendeve në një tryezë sot në Prishtinë e theksuan më me zë se ai nuk është një Republikë Srpska dhe se është një detyrë shtëpie që Kosova duhet ta bëjë në mënyrë që të lëvizë përpara. Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, tha se sikurse Asociacioni, ashtu edhe çështja e pronës së Manastirit të Deçanit janë nënkuptuar si kompromise që Kosova duhet t’i bëjë në raport me Serbinë. Megjithatë, Rohde deklaroi se kjo nuk qëndron.
Sipas tij, këto janë detyra shtëpie për Kosovën që është dashur të bëhen e nuk janë kryer, duke shtuar se Kosova duhet ta përmirësojë besimin dhe pastaj të ecë përpara.
Duke përjashtuar pesë vendet mosnjohëse të Bashkimit Europian, ambasadori i Frances Guerot tha se 22 vendet njohëse nuk janë të interesuara ta bëjnë Kosovën vend jofunksional.
“Ishte një përpjekje nga ana jonë që të propozojmë një statut sepse s’ka pasë përpjekje nga ana e Kosovës që të punojë seriozisht në këtë statut dhe as gatishmëri”.
Për komentet që Asociacioni do t’i ngjajë etnitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Guerot udhëzoi të lexohet Marrëveshja e Dejtonit dhe çfarë është Republika Srpska.