Ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, thotë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, “është transaksional” dhe se mund të kërkojë nga Kosova favore në këmbim të mbajtjes së trupave.
“Ndaj, jini të përgatitur”, thotë Shea për Radion Evropa e Lirë.
Si lindën pikëpyetjet për trupat amerikane në Evropë?
Ishte fillimisht sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili porositi Evropën se duhet të përgatitet për një rishikim dhe reduktim eventual të pranisë ushtarake amerikane.
Gjatë një vizite në Varshavë, muajin e kaluar, Hegseth tha se e ardhmja e saj do të varet nga kërcënimet globale dhe prioritetet strategjike amerikane.
“Kjo është arsyeja përse mesazhi ynë është kaq i ashpër për aleatët tanë evropianë. Tani është koha për të investuar, sepse nuk mund të supozoni se prania e Amerikës do të zgjasë përgjithmonë”, tha ai më 14 shkurt.
Sipas një dokumenti që siguroi gazeta amerikane The Washington Post, Hegseth urdhëroi, gjithashtu, udhëheqësit e Pentagonit dhe të ushtrisë amerikane që të bëjnë plane për shkurtimin e buxhetit të mbrojtjes për 8 për qind, në secilin prej pesë vjetëve të ardhshëm.
Këtij debati, një element tjetër ia shtoi edhe zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance.
Ai i kritikoi udhëheqësit evropianë për refuzimin e së djathtës ekstreme, ndërsa të ardhmen e trupave amerikane në Evropë e lidhi me politikëbërjen në kontinent.
Duke folur në Konferencën e Veprimit Politik Konservator më 20 shkurt, Vance tha se amerikanët nuk do të mbështesin mbajtjen e trupave në Gjermani, nëse njerëzit atje mund të burgosen për postime fyese në mediat sociale.
“E gjithë mbrojtja e Gjermanisë subvencionohet nga taksapaguesit amerikanë”, tha ai. REL