Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke theksuar se tashmë është hapur rruga kushtetuese për formimin e qeverisë së re.
Në një deklaratë publike të shpërndarë nga kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, thuhet se me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë të Kuvendit, institucioni ligjvënës është tashmë funksional, dhe kështu janë rikthyer afatet për hapat e mëtejmë kushtetues.
“Me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, vendi sot ka Kuvend funksional dhe është rikthyer në afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë së re,” thuhet në njoftim.
LDK bën të ditur se pas një analize juridike të thelluar, ka konstatuar se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka hapur rrugën për këtë proces. Partia vlerëson se vendi ka qenë i mbajtur në një bllokadë institucionale për më shumë se pesë muaj për një pozitë që, sipas saj, është “tërësisht formale dhe e parëndësishme”.
“Mbajtja e vendit të bllokuar për më shumë se pesë muaj ka qenë akt i papërgjegjshëm që ka dëmtuar interesin e Republikës,” thuhet më tej.
LDK ka akuzuar Vetëvendosjen se përmes një debati “të paqenë” rreth Listës Serbe dhe të drejtës së saj për veto, e ka shndërruar çështjen në temë elektorale dhe ka prolonguar qëllimisht konstituimin e Kuvendit.
“LDK-ja vendosi ta largojë këtë çështje nga agjenda politike dhe institucionale, duke i hapur rrugë procesit kushtetues dhe institucional të vendit,” thekson deklarata.
Përmes këtij veprimi, sipas LDK-së, u zhbllokua themelimi i institucioneve të reja dhe u ndaluan “shkeljet e reja kushtetuese” nga ana e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, përfshirë edhe “uzurpimin e institucioneve nga një qeveri pa legjitimitet dhe pa autorizime ligjore e kushtetuese”.
LDK e ka përmbyllur reagimin duke e cilësuar veten si parti të përgjegjshme ndaj institucioneve dhe Republikës, dhe ka ftuar Vetëvendosjen që të provojë shumicën që pretendon se e ka.
“Për 177 ditë me radhë, ata kanë thënë se i kanë votat. Tani le ta dëshmojnë këtë fakt para qytetarëve të Kosovës,” përfundon reagimi i kryetarit të LDK-së.




