Presidenti i Republikës ka dekretuar 12 shtatorin 2025, ora 10:00, si datën për mbledhjen e parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve dhe deputetëve, kreu i shtetit theksoi rëndësinë e kësaj legjislature për vijimin e reformave, forcimin e institucioneve dhe përmbushjen e aspiratës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Presidenti u bëri thirrje deputetëve të tregojnë përgjegjësi, përkushtim dhe bashkëpunim, si dhe të përfaqësojnë me dinjitet qytetarët që i kanë votuar.
Ai nënvizoi nevojën për një mazhorancë të përulur dhe një opozitë aktive, në funksion të dialogut dhe demokracisë.
Mes prioriteteve të legjislaturës së re u përmendën: drejtësia funksionale, zhvillimi ekonomik, arsimi, mjedisi, sfidat demografike dhe përgatitja për integrimin evropian.
Kujtojmë se një ditë para mbledhjes së parlamentit, pikërisht më 11 shtator, do të mblidhet Asambleja e Partisë Socialiste, ku pritet të prezantohet qeveria e re “Rama 4”.
Asambleja e socialistëve do të mblidhet në orën 09:30 dhe do të nisë me fjalën e kryesocialistit Edi Rama, i cili do t’u drejtohet anëtarëve të partisë për sfidat e këtij mandati të katërt qeverisës.
Fokusi pritet të jetë anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në fund të kësaj dekade, si dhe shpallja e emrave të kabinetit të ri qeveritar.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Partia Socialiste fitoi e vetme 83 mandate deputetësh, ndërsa Partia Demokratike dhe aleatët e saj siguruan së bashku 50 vende në Kuvend. EA