Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, tha për Ekonomia Online se secili deputet dhe çdo parti politike duhet të japë maksimumin për të ndërmarrë veprime që të konstituohet Kuvendi dhe të hapet rruga për formimin e Qeverisë.
“Nëse e lexojmë aktgjykimin e qershorit, por edhe të gushtit në tërësi, Gjykata Kushtetuese në njëfarë mënyre i mban moral partive politike, VV-së se cilat janë kompetencat, cilat janë përgjegjësitë e deputetëve e partive politike, cilat janë pritjet legjitime në një shoqëri demokratike do të thotë të këtyre partive politike ose atyre që kanë fuqinë politike më të madhe e që mund ta zhbllokojnë situatën. Kjo është që secili deputet, secila parti politike do të duhej të bënte maksimumin e saj për të ndërmarrë veprime për konstituimin e Kuvendit, për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë. Por, kur ka mungesë të theksuar të lidershipit, vullnetit politik për zhbllokim dhe krejt resurset, krejt mundësitë shkojnë drejt bllokadës, atëherë në njëfarë mënyre sjellin në një situatë, ku jam i sigurt që nëse VV-ja brenda 30 ditësh nuk e konstituon Kuvendin mund të dërgohet lëndë e re në Gjykatën Kushtetuese, ku Kushtetuesja nuk do të ketë mundësi tjetër përveç se të shpjegojë tanimë abuzimin me të drejtën”, tha Miftaraj.
Ai shtoi se abuzimi me të drejtën ndodh kur një subjekt që ka fituar mbi 42 për qind të votave abuzon me këtë të drejtë, duke krijuar kaos dhe bllokadë institucionale.
“Edhe aktgjykimi i qershorit edhe i gushtit në njëfarë mënyre, në mënyrë të tërthortë, e tregon se abuzimi me të drejtën është kur ti një të drejtë që e ke në bazë të Kushtetutës, në bazë të ligjit, në bazë të legjitimitetit që e ke marrë prej qytetarëve të vendit mbi 42 për qind të votave në zgjedhjet e fundit, atëherë kur e abuzon këtë të drejtë sikur që kjo e drejtë nuk është absolute dhe kjo e drejtë pastaj mund t’i kalohet edhe tjetrit. Dhe nëse qëllimi i VV-së është që të kalojnë, të shkojnë në një kaos, ku bëjnë përpjekje masive që të mos bëhet konstituimi i Kuvendit, mos të bëhet formimi i qeverisë, por të kemi bllokadë, atëherë e përsëris, jo vetëm Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por çdo gjykatë kushtetuese e një vendi demokratik nuk mund ta lejojnë një gjë të tillë, por duhet ta interpretojë do të thotë këtë abuzim në bazë të frymës, qëllimit që e ka Kushtetuta e Kosovës për funksionimin demokratik të institucioneve kushtetuese në Kosovë”, tha ai.
Ai paralajmëroi se nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk propozon një kandidat për kryetar/e të Kuvendit që votohet nga partitë, partitë e tjera do të detyrohen, pas 20–25 ditësh, të ndërmarrin masa dhe të dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
“Ne edhe besoj edhe partitë politike, po edhe presidentja, publiku, qytetari ka pritje legjitime, do që të shpresojë, do që të besojë që edhe VV-ja edhe gjitha partitë politike, të ndërmarrin veprime për zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për zbatimin e kushtetutës, për çka është më e rëndësishme për jetësimin e vullnetit të popullit që ka dalë në zgjedhje më 9 shkurt, sepse në fund të fundit, kanë votuar 900 mijë apo më shumë qytetarë të Kosovës, për të konstituar Kuvendin, për të formuar qeverinë dhe ne shpresojmë që kjo do të ndodhë në praktikë. Por, nëse kjo nuk ndodh do të thotë dhe nëse shkojmë te data, te afatet kur kalojnë 20 ditë, 25 ditë dhe VV thjesht nuk ndërmerr veprime që të propozojë një kandidat që i merr votat në Kuvend, atëherë besoj që në ditët e fundit partitë politike, palët e autorizuara do të ndërmarrin masa dhe do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese. Por nuk dua të besoj, ne duhet të shpresojmë që kjo nuk do të ndodhë. Nëse e lexojmë aktgjykimin edhe të qershorit, edhe të gushtit, Gjykata Kushtetuese edhe kësaj radhe në njëfarë mënyre e ka treguar që propozimi vjen prej partisë me të madhe, por që të zgjidhet kryeparlamentari duhet dialog politik, duhet konsensus politik. Sepse, demokracia parlamentare e ka këtë se kush nuk i ka 51 për qind të votave, kush nuk e ka shumicën parlamentare atëherë duhet të bëjë dialog, duhet që të kërkojë votat tek partitë e tjera”, tha ai.