Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksidentin e rëndë të trafikut që ndodhi mëngjesin e sotëm, rreth orës 06:10, në magjistralen Pejë–Prishtinë, në fshatin Dollc të Klinës. Si pasojë e këtij aksidenti, një person ka humbur jetën, ndërsa pesë të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.
Sipas njoftimit të policisë, në aksident janë përfshirë një autobus dhe një veturë me targa vendore.
“Deri te ky aksident dyshohet se ka ardhur derisa drejtuesi i veturës ishte duke qarkulluar nё drejtimin Prishtinё–Pejё, ku me tё arritur në fshatin Dollc, duke mos iu pёrshtatur shpejtёsisё dhe kushteve tё rrugёs, humb kontrollin mbi automjet dhe kalon nё shiritin pёr lëvizje nga ana e kundёrt dhe godet autobusin nё pjesёn ballore”, njofton policia.
Drejtuesi i automjetit nga lëndimet e marra ka ndërruar jetë në vendngjarje, gjë të cilën e ka konfirmuar ekipi mjekësor. Pesë persona të tjerë, të lënduar në këtë aksident, janë dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal të Pejës, ku po marrin trajtim mjekësor.
Tutje policia njofton se me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.