Presidenti amerikan, Donald Trump, takon homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë për të folur për përfundimin e luftës ruse në Ukrainë. Sipas Trumpit, do të jetë “një ditë e madhe në Shtëpinë e Bardhë”.
• Në mesin e liderëve evropianë që do t’i bashkohen takimit në Uashington janë Keir Starmer i Britanisë, Friedrich Merz i Gjermanisë dhe Emmanuel Macron i Francës.
• Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i takoi liderët kryesorë evropianë, për t’i bashkërenduar qëndrimet para takimit me presidentin amerikan, Donald Trump, në Uashington.
• Sipas të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, Putini është pajtuar t’i lejojë SHBA-në dhe aleatët evropianë të ofrojnë garanci të sigurisë për Ukrainën.
• Në prag të takimit, Zelensky tha se sulmet ruse vranë 10 njerëz në qytetet ukrainase
19:35
Trump s’e përjashton mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë
Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë për të ndihmuar në ruajtjen e një marrëveshjeje të mundshme për paqe.
“Do t’ju njoftojmë, ndoshta më vonë sot”, tha Trump.
Trump tha se Evropa do të jetë ajo që udhëheq përpjekjet për sigurimin e paqes, por se SHBA do të jetë e përfshirë.
“Ata janë vija e parë e mbrojtjes, sepse janë aty, Evropa. Por, ne do t’i ndihmojmë. Gjithashtu, do të jemi të përfshirë”, tha ai.
Trump tha se nëse arrihet marrëveshje për paqe, ajo do të jetë e qëndrueshme.
“Unë mendoj se nëse arrijmë paqen, ajo do të funksionojë. Nuk kam asnjë dyshim për këtë”, tha ai. REL