LDK mirëpret Aktgjykimin e GjK-së: Fitore për ligjshmërinë dhe të gjithë qytetarët, asnjë individ mbi Supremacinë e Kushtetutës

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka mirëpritur Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për seancën konstitutive ku u konstatuan shkeljet dhe tejkalimet e kompetencave të Avni Deharit, i cili uzurpoi proceduralisht konstituimin e Kuvendit të Kosovës. 

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

LDK e quajti “fitore të ligjshmërisë…dhe të të gjithë qytetarëve” Aktgjykimin e GjK-së.

Postimi i plotë:

KOMUNIKATË PËR MEDIE

Lidhja Demokratike e Kosovës mirëpret vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, e cila konstatoi antikushtetutshmërinë e përpjekjeve për të imponuar procedura të votimit të fshehtë gjatë seancës konstituive të Kuvendit.

Me këtë aktgjykim, Gjykata riafirmoi se kryesuesi i seancës konstituive nuk mund të veprojë jashtë përcaktimeve të qarta kushtetuese dhe nuk mund të shpikë procedura që minojnë rendin demokratik dhe ligjshmërinë. Gjykata sqaroi sërish se zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit duhet të zhvillohet rreptësishtë sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Punës – përmes votimit të hapur, deri në tre herë përpjekje për një kandidat, dhe brenda afatit kushtetues 30 ditor.

Ky vendim paraqet një fitore të madhe për demokracinë, ligjshmërinë dhe integritetin e institucioneve tona. Ai vërteton qëndrimin e LDK-së, e cila që nga fillimi ka insistuar se veprimet e Kryesuesit të Kuvendit dhe Lëvizjes Vetëvendosje! përbënin shkelje flagrante të Kushtetutës dhe tentim për të bllokuar funksionimin e institucioneve.

LDK ka mbrojtur gjithmonë parimin se rendi kushtetues është i paprekshëm. Asnjë vullnet politik nuk mund të qëndrojë mbi supremacinë e Kushtetutës. 

Vendimi i sotëm i Gjykatës është jo vetëm fitore e LDK-së, por fitore e Republikës së Kosovës dhe e të gjithë qytetarëve që duan institucione funksionale, të ngritura mbi ligjshmëri, transparencë dhe norma demokratike.

Ne u bëjmë thirrje të gjitha forcave politike që ta respektojnë në tërësi këtë aktgjykim. Kuvendi duhet të vazhdojë menjëherë, në përputhje me Kushtetutën, me zgjedhjen e udhëheqjes së tij përmes votimit të hapur. Çdo pengesë e mëtejshme do të ishte jo vetëm antikushtetuese, por edhe akt i papërgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe vullnetit të tyre demokratik.

LDK do të mbetet e vendosur në rolin e saj si mbrojtëse e ligjshmërisë, demokracisë dhe vlerave euro-atlantike. Republika e Kosovës meriton institucione të forta, të lindura nga Kushtetuta dhe që i shërbejnë vetëm qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *