Trump: Takimi me Putinin ishte produktiv, por nuk arritëm marrëveshje

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se takimi me udhëheqësin rus, Vladimir Putin, ishte “shumë produktiv”, por ata nuk arritën një marrëveshje lidhur me përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

Gjatë konferencës së përbashkët për media pas takimit në Alaskë, që zgjati gati 3 orë, Trump tha se me Putinin janë pajtuar për shumë pika, por jo edhe për më të rëndësishmen – duke mos specifikuar nëse bëhet fjalë për një armëpushim në luftën në Ukrainë që nisi më 2022.

Sipas presidentit amerikan, ka gjasa të mira që palët të arrijnë në të ardhmen një marrëveshje.

Putin, në anën tjetër, e cilësoi takimin si “konstruktiv”, dhe tha se “ne jemi sinqerisht të interesuar që konflikti të përfundojë”.

Në fund të konferencës, Trump tha se beson që do ta takojë Putinin sërish shumë shpejt, dhe lideri rus iu përgjigj në anglisht: “Herën tjetër, në Moskë”. 

Trump tha se tani do të bisedojë me udhëheqësit e NATO-s, me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe udhëheqës evropianë, për t’i informuar ata lidhur me samitin në Alaskë.

Në takimin, që u mbajtë në bazën ushtarake Elmendorf, dy udhëheqësve morën pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff. Po ashtu, Putin ishte i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, dhe këshilltari për çështje të jashtme, Yuri Ushakov. REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *