Kushtetuesja: Llaban u emërua gjyqtar pasi iu nënshtrua procedurave kushtetuese e ligjore

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se gjyqtari i saj, Radomir Llaban, u emërua më 2018 pasi i ishte nënshtruar “të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore”, për propozimin e tij nga Kuvendi i Kosovës dhe dekretimit nga presidenti i Kosovës.

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

Në një reagim për media të mërkurën, Kushtetuesja tha se Llaban ka qenë i punësuar në gjykatën më të lartë të vendit nga viti 2011, fillimisht si këshilltar juridik, para se të emërohej gjyqtar më 9 gusht 2018.

Ky reagim vjen një ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se, për shkak Llabanit, ka tërhequr një kërkesë drejtuar Kushtetueses në korrik, përmes së cilës kërkoi sqarim se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi. Llaban ishte caktuar si gjyqtar raportues për këtë lëndë.

Sipas saj, institucionet e sigurisë më 2018, 2021 dhe 2024 kanë dorëzuar informacione lidhur me “veprimtarinë e rrezikshme” të Llabanit.

Osmani tha se, sipas informatave “të cilat në vitet 2021 dhe 2024 po ashtu janë ndarë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Shefja e shtetit nuk tregoi se çfarë rreziku përbën Llaban për sigurinë kombëtare të Kosovës, duke argumentuar se ky është vlerësim i klasifikuar i institucioneve të sigurisë.

Kushtetuesja tha se është e drejtë e palëve para gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, “të cilat Gjykata Kushtetuese i trajton bazuar në Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës”.

Vitin e kaluar, Ministria e Drejtësisë e Kosovës kishte refuzuar ta emëronte Llabanin për noter, pas pranimit të informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) lidhur me integritetin e tij.

Shkarkimin e një gjykatësi të Kushtetueses e bën presidenti i Kosovës.

Por, propozimi për shkarkimin e tij paraprakisht duhet të bëhet nga dy e treta e gjyqtarëve të Kushtetueses – që ka gjithsej nëntë gjykatës – dhe kjo kërkesë t’i dërgohet Presidencës. REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *