Ndërkombëtarët thonë se sulmet ndaj gjykatësve e ndërhyrja politike në gjyqësor janë “të papranueshme”

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, si dhe ai i Gjermanisë, Jorn Rohde, kanë thënë të mërkurën se ndërhyrja politike në gjyqësor është e “papranueshme”, pasi Qeveria në detyrë e Kosovës e kritikoi një vendim të Gjykatës Supreme në lidhje me një udhëzim administrativ për pajisjet fiskale.

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

Në një shkrim në X, Orav tha se shefat e misioneve të BE-së në Kosovë kanë biseduar për gjendjen pas vendimit të Gjykatës Supreme.

“Sulmet kundër gjykatësve individualë dhe ndërhyrja politike në gjyqësor janë të papranueshme”, shkroi ai.

Rohde tha se e mbështet “plotësisht” qëndrimin e Oravit, duke shtuar se sulmet dhe ndërhyrja e tillë janë “gjëja e fundit që i nevojitet këtij vendi në këtë gjendje tashmë të vështirë politike”.

Të martën, Supremja e shpalli të paligjshëm dhe e shfuqizoi një udhëzim administrativ të nxjerrë nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, duke thënë se një ministër i certifikuar si deputet nuk mund të ushtrojë funksione ekzekutive.

Pak orë më vonë, Qeveri në detyrë e cilësoi si “të pabazuar në ligj” dhe “arbitrar” vendimin e Supremes për shfuqizimin e udhëzimit administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronike fiskalë.

Edhe ministri në detyrë, Murati, e kundërshtoi këtë vendim në një status në llogarinë e vet në Facebook të martën, duke e cilësuar si “absurd” dhe duke i kritikuar ashpër me emër gjyqtarët e Supremes.

Udhëzim administrativ ishte publikuar në gazetën zyrtare më 16 prill, një ditë pasi ishte nënshkruar nga ministri në detyrë, i cili është gjithashtu i betuar si deputet i legjislaturës së re pas zgjedhjeve të shkurtit.

Në lidhje me vendimin e Supremes se një ministër në detyrë nuk mund të nxjerrë akte nënligjore dhe udhëzime administrative pasi të jetë bërë deputet i Kuvendit, Qeveria në detyrë tha se Gjykata Kushtetuese e “lejon një gjë të tillë”, pasi Kuvendi nuk është konstituuar ende pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Supremja iu përgjigj Qeverisë në detyrë, duke e cilësuar reagimin e saj si tendencioz dhe ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se gjykata e “qartësoi përfundimisht” se ministrat, tashmë me mandat si deputetë, nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë funksione ekzekutive pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

KQZ-ja i certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të shkurtit më 27 mars.

Ligji për Qeverinë saktëson se një qeveri në detyrë nuk mund të tejkalojë autorizimet e saj të kufizuara dhe ndalon qartë ndërmarrjen e vendimeve madhore. REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *