Rasti i vdekjes së një 27-vjeçari në Lipjan gjatë arrestimit nga policia po hetohet, ndërsa përflitet se shkak mund të ketë qenë ngufatja.
Flamur Dylhasi, mjek në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku është kryer autopsia e viktimës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk mund ta pohojë e as mohojë shkakun e vdekjes, pasi ai komunikon vetëm me prokurorinë.
Por, Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se ka informacione që e lidhin drejtpërdrejt vdekjen e të riut me veprimet e policisë gjatë arrestimit.
“Në bazë të informatave që na kanë ardhur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, del se autopsia ka përcaktuar se viktima është ngufatur nga policia. Do të thotë, policët kanë ndikuar – në njëfarë mënyre – në vdekjen e të riut”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.
Rasti ndodhi në orët e para të 7 korrikut në Lipjan – komunë në pjesën qendrore të Kosovës.
Policia tha se i ndjeri, i cili u identifikua më vonë si Agon Zejnullahu, dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur u ndalua nga autoritetet e rendit.
Po atë ditë në mbrëmje, Inspektorati Policornjoftoi për arrestimin e pesë zyrtarëve policorë, nën dyshimet për kryerje të veprës penale “vrasje nga pakujdesia”.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se hetimet janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal dhe se kushdo që rezulton fajtor për vdekjen e të riut, do të marrë dënimin e merituar.
Në këtë situatë ende të paqartë, familja thotë se është e zhgënjyer me mungesën e deritashme të transparencës nga autoritetet.
Vëllai i viktimës, duke folur për disa media në Prishtinë më 8 korrik, tha se familjarët nuk kanë marrë asnjë sqarim nga policia, ndërsa trupi i të ndjerit “ka pasur shumë shenja dhe thyerje”.
Nga pamjet e shpërndara në mediat sociale, që thuhet se janë nga rasti në Lipjan, viktima duket me duar të lidhura dhe në gjunjë, ndërsa më pas bartet me auto-ambulancë.
Arbër Beka, nga Inspektorati Policor i Kosovës, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se ky institucion po vazhdon hetimet për sjelljet e dyshimta në këtë rast dhe po shqyrton të gjitha provat, përfshirë video-incizimet dhe dëshmitë e marra nga vendi i ngjarjes. REL- PHOTO: T7