Disa nga personat që Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzoi për sulmin në Banjskë të Zveçanit – ose së paku një prej tyre – dhe që kërkohen nga autoritetet kosovare, u panë në një protestë të rrethuar nga policia në qendër të Beogradit.
Prishtina zyrtare thotë se personat e akuzuar për sulmin e 24 shtatorit, 2023, u panë më 28 qershor në Parkun e Pionierëve në Beograd, përballë zyrës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Por, nga autoritetet shtetërore të Serbisë nuk ka ende ndonjë reagim.
Duke përdorur mjete për njohjen e fytyrës, Radio Evropa e Lirë arriti të përcaktonte se grupi përfshinte Vlladimir Vuçetiqin nga Mitrovica e Veriut, i cili është një prej 45 personave të akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Kosovës.
Megjithatë, bazuar në informacionet publike në Serbi, ai nuk është i akuzuar për këtë vepër penale.
Radio Evropa e Lirë, bazuar në pamjet nga rrjetet sociale, arriti t’i identifikonte së paku 11 persona të mbledhur në disa grupe, anëtarët e të cilëve ishin të veshur me këmisha të njëjta ngjyrë jeshile.
Sipas fotografive dhe videove të disponueshme, këto grupe qëndronin pranë ndërtesës së Presidencës së Serbisë dhe afër njësive të policisë. REL
