Komisionarja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, po zhvillon sot në Shkup një takim me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Samitit të dedikuar Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për këtë rajon.
Nga Plani i Rritjes, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor – përveç Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës – kanë marrë fondet e para të para-financimit.
Kosovën në këtë takim e përfaqëson kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Në fjalën hyrëse, komisionerja Kos tha se Evropa nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor.
Ajo shtoi se tani ekziston një konsensus i qartë për zgjerimin, gjë që nuk ka qenë e njëjtë në të kaluarën, por “dritarja e mundësisë nuk do të jetë e hapur përgjithmonë”.
“Po shohim përparim të rëndësishëm. Shqipëria, i dashur kryeministër Edi Rama, ka hapur tre klasterë gjatë gjashtë muajve të fundit. Faleminderit për kontributin tuaj në suksesin e procesit të zgjerimit. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, do të mund t’i hapim të gjithë klasterët këtë vit. Ndërkohë, Mali i Zi mbylli edhe një kapitull të premten e kaluar.
Në Bosnje e Hercegovinë është miratuar agjenda e reformave dhe po presim që qeveria e re, z. Kurti, të vendosë më në fund më shumë energji në procesin e anëtarësimit. Ndërkohë, tashmë po ecim përpara edhe me Serbinë”, tha ajo.
Kos tha se Plani i Rritjes është plotësisht në duart e tyre.
“Ky është një mjet për t’ju ndihmuar me reformat e rëndësishme, të cilat janë të domosdoshme edhe për t’ju përgatitur për anëtarësim. Njëkohësisht, ky plan ju mundëson që qytetarët dhe bizneset tuaja të përfitojnë nga tregu unik i BE-së, në kushte të barabarta me vendet anëtare. Dhe kjo, tani – jo në një të ardhme të largët”, theksoi ajo.
Ajo shtoi se vendet kanë bërë shumë, por tani është koha të intensifikohet faza e zbatimit.
“Thënë thjesht, kjo do të thotë që një sipërmarrës i ri, për shembull këtu në Shkup apo në Tiranë, mund të pranojë pagesa nga e gjithë Evropa po aq lehtë sa edhe një biznes në Vjenë apo Madrid”, tha Kos.
Vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit në BE, ndërsa Plani i Rritjes synon të përshpejtojë reformat dhe t’i përgatisë ato për anëtarësim.
Nga fondi prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovës i janë ndarë rreth 900 milionë – një pjesë në formë granti, dhe një formë si kredi.
Ndërsa fqinjët e saj veçse kanë nisur të përfitojnë, Kosova rrezikon të mbetet pas në garën për miliona euro të Bashkimit Evropian.
Më 21 qershor, Serbia është bërë vendi i fundit – pas Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi – që ka njoftuar se ka pranuar mjetet e para nga BE-ja, në vlerë prej 51.66 milionë eurosh.
Bosnje e Hercegovina nuk e ka dorëzuar ende Agjendën e kërkuar të Reformave tek autoritetet evropiane.
Në Kosovë, problemi është tjetër: ajo nuk ka Kuvend të konstituuar për të ratifikuar marrëveshjen e nevojshme për përfitimin e fondeve.
Marrëveshjet e tilla kanë karakter të marrëveshjeve ndërkombëtare, ndaj edhe duhet të ratifikohen në Kuvend me dy të tretat e votave.
Gjatë një deklarate për media, në prag të fillimit të Samitit, kryeministri Kurti në detyrë nuk foli për faktin që Kosova është e vetmja që nuk ka përfituar nga Plani i Rritjes, por u fokusua te marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. REL