Planet e Qeverisë në detyrë të Kosovës për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicën e ndarë, shkaktuan reagime të ashpra në mesin e serbëve lokalë, të cilët e shohin këtë veprim si provokim politik dhe jo si mjet për lidhjen e komuniteteve.
Ndërsa autoritetet në Prishtinë pohojnë se qëllimi i projekteve është “integrimi dhe zhvillimi”, disa qytetarë dhe përfaqësues lokalë paralajmërojnë se vendimi i tillë, i marrë pa konsultim me komunitetet, mund t’i rrisë edhe më shumë tensionet mes veriut dhe jugut të qytetit.
“Kërkesë e dy komunave”
Qeveria në detyrë e Kosovës thotë në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë se projekti i ndërtimit të urave u iniciua me kërkesë të dy komunave – si rezultat i krijimit të Bordit të Përbashkët të Mitrovicës.
Memorandumi i mirëkuptimit, thuhet në deklaratë, parashikon që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) t’i financojë dhe zbatojë këto projekte infrastrukturore – që përfshijnë ndërtimin e urave për këmbësorë dhe automjete mbi lumin Ibër – me qëllim të lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave.
“Memorandumi përcakton obligimet e palëve, sipas të cilit: MMPHI merr përgjegjësinë për financimin dhe zbatimin e projektit, do të zhvillojë procedurat e prokurimit, do të emërojë menaxherin e projektit, do të kryejë mbikëqyrjen teknike dhe do të sigurojë realizimin financiar të punimeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kurse, komunat janë përgjegjëse për caktimin e lokacioneve, sigurimin e lejeve përkatëse dhe ndjekjen e zbatimit të projektit në terren përmes zyrtarëve të emëruar”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë në detyrë të Kosovës.
Sa i përket mundësisë së hapjes së urës kryesore mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve – gjë që ka shkaktuar tensioneve vitin e kaluar – Qeveria thekson se qëndrimi i saj mbetet i pandryshuar:
“Ura kryesore mbi Ibër duhet të jetë e hapur për qarkullim të plotë, ndërsa ndërtimi i dy urave të reja do të kontribuojë më shumë në frymën e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave dhe lëvizjen e lirë në të dyja anët e lumit Ibër”.
Çka thonë qytetarët për urat e reja?
Marina nga Mitrovica e Veriut thotë se ky është “një vendim i nxituar nga autoritetet e Kosovës për të demonstruar pushtetin e tyre mbi qytetarët e veriut”.
“Të gjithë e dimë se ato dy ura nuk i nevojiten aspak qytetit dhe nuk mund të kontribuojnë në asnjë ‘përafrim’ ose ‘forcim të komunikimit’ midis qytetarëve në dy anët e Ibrit, por shërbejnë ekskluzivisht si mjet për të mbjellë paranoja te popullata serbe e veriut”, thotë Marina për Radion Evropa e Lirë.
Ajo kujton se ka ura funksionale për qarkullim dhe se qytetarët e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut mund të kalojnë në këmbë edhe përmes urës kryesore mbi Ibër.
Për Anën, ideja e ndërtimit të dy urave mbi Ibër, përveç kryesores, është “krejtësisht e pakuptimtë”.
“Më shumë më duket si premtim parazgjedhor dhe mesazh për elektoratin, sesa kujdes i vërtetë për qytetarët dhe mënyrën se si ata funksionojnë. Komuna e Mitrovicës së Veriut duhet të merret me çështje të tjera, e jo me ide që nuk kanë thelb”, thotë ajo.
Bazuar në një fotografi ilustruese, të publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, shihet se urat do të vendosen në anën e majtë dhe të djathtë të urës kryesore, e cila është pjesë e Marrëveshjes Kosovë-Serbi për Lirinë e Lëvizjes, të arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel.
Megjithatë, nga BE-ja i thanë Radios Evropa e Lirë se nuk janë të përfshirë në këtë projekt dhe as që janë të njoftuar për të.
Sipas BE-së, çdo vendim për ndërtimin e infrastrukturës mbi lumin Ibër duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse – duke i përfshirë plotësisht të gjitha komunitetet që preken nga kjo çështje.
Qeveria në detyrë e Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar qëndrimin e BE-së për përfshirjen e të gjitha komuniteteve në vendimin për ndërtimin e urave.
A janë të nevojshme urat e reja?
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se ky projekt “do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe do të shërbejë si infrastrukturë për komunikim, integrim dhe zhvillim midis dy pjesëve të qytetit”.
Megjithatë, një këshilltar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut nga komuniteti serb, Dushan Millunoviq, beson se këto ura janë të panevojshme.
Ai thotë se askush nuk u konsultua me qytetarët për nevojën e tyre dhe se çështja nuk u diskutua as në seancat e Kuvendit Komunal.
Sipas tij, ka çështje shumë më të rëndësishme që autoritetet lokale në veri të Mitrovicës duhet t’i adresojnë.
Ndërtimi i këtyre urave “do të ndikojë negativisht në situatën e përgjithshme”, thotë Millunoviq.
“Nëse do t’i kishim zgjidhur të gjitha problemet e qytetit, siç janë rrugët, kanalizimet, infrastruktura… Nëse do të ishte koha për të ndërtuar ura, do ta kuptoja. Por, për fat të keq, situata në terren nuk është e tillë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Millunoviq është i vetmi këshilltar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut nga komuniteti serb, i cili nuk e la pozitën e tij në kuadër të tërheqjes kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, në nëntor të vitit 2022.
Ai beson se, viteve të fundit, autoritetet e Kosovës vazhdimisht “kanë krijuar tensione të reja” dhe shton se ndërtimi i urave po paraqitet si “bashkim i Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut, ndaj njerëzit janë të frikësuar”.
Qyteti i Mitrovicës u nda në periudhën e pasluftës, ndërsa në vitin 2013 u nda edhe zyrtarisht në dy komuna: Mitrovica e Jugut e banuar me shumicë shqiptare dhe Mitrovica e Veriut e banuar me shumicë serbe.
Në mes të qershorit të këtij viti u formua edhe një bord i përbashkët i këtyre dy komunave, bazuar në Ligjin për Kufijtë Administrativë të Komunave, me qëllim “përafrimin e qytetarëve”.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, u pyet më pas nëse formimi i bordit nënkuptonte një hap drejt bashkimit të qytetit në një komunë të vetme, por ai e mohoi këtë në mënyrë kategorike. REL