Politikanët “abuzojnë” me vakumin kushtetues për konstituimin e Kuvendit

Ekspertët e çështjeve juridike-kushtetuese paralajmërojnë për keqpërdorim të vakumit ligjor nga partitë parlamentare, të cilat po e zvarrisin pa afat konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

Pavarësisht dhjetëra përpjekjeve, deputetët dështuan ta përmbyllin këtë proces, ndërsa partitë opozitare – Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe Lista Serbe – nuk propozuan anëtarë për komisionin që do të mundësonte votimin e fshehtë për kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Haxhiu, deri më tash, nuk ka arritur t’i marrë 61 votat e nevojshme në votim të hapur, ndërsa partia e saj – Lëvizja Vetëvendosje – nuk ka pranuar ta zëvendësojë emrin e saj.

Kadri Kryeziu, ish-nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kushtetuta nuk përcakton ndonjë afat të qartë kohor për konstituimin e Kuvendit dhe ky boshllëk, sipas tij, po keqpërdoret nga partitë politike.

“Hartuesit e Kushtetutës nuk kanë mundur ta parashihnin këtë devjim, këtë destruksion, i cili në suaza normale nuk është dashur të ndodhte”, thotë Kryeziu, duke iu referuar bllokimit të procesit.

Sipas tij, përgjegjësia kryesore bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, por nuk përjashtohen as partitë e tjera – PDK, LDK dhe AAK – që po kontribuojnë në zvarritjen e konstituimit.

Në të njëjtën linjë është edhe profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu.

Ai thekson se partitë politike po e shfrytëzojnë boshllëkun kushtetues për të fshehur, siç thotë, “paaftësinë që ka partia që ka fituar më së shumti vota (Lëvizja Vetëvendosje) për formimin e institucioneve”.

Mungesa e një afati ligjor, sipas tij, ka krijuar hapësirë për luftë të ashpër politike dhe inate partiake.

“Në këtë rast, them se përgjegjësia është e të parit, fituesit relativ, por edhe e të tjerëve, pa dallim, sepse nuk janë të interesuar si klasë politike për shtet dhe institucione, por për pushtet, për rënie deri në skaj të absurdit, të inateve dhe betejave politike”, thotë Baraliu për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se po abuzohet edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, i cili nuk jep udhëzime se çfarë ndodh nëse dështon zgjedhja e kryeparlamentarit dhe nuk përcakton afate të qarta për përmbylljen e konstituimit.

Ngërçi rreth zgjedhjes së kryeparlamentarit

Kryeziu nuk e sheh si thelbësore vetëm çështjen e nominimit të kryetares së Kuvendit, por tërheq vërejtjen edhe për neglizhimin që partitë politike po i bëjnë interpretimit ligjor të situatës.

Ai kujton se seanca konstituive, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të vazhdojë çdo 48 orë, por kjo, sipas tij, nuk mund të zgjatet pafund.

Ai thotë se, në rastin konkret, duhet të përdoren interpretimi ligjor logjik dhe ai verbal.

“Interpretimi logjik do të thotë se kjo (vazhdimi i seancës konstituive çdo 48 orë) mund të bëhet vetëm dy herë. Herën e parë mund të ketë probleme të natyrës teknike. Herën e dytë, kjo duhet të përfundojë”, thotë Kryziu. REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *