Izraeli e ka tronditur Iranin javën e kaluar në momentin që ka nisur një operacion ushtarak dhe të inteligjencës, të përgatitur ndër vite, që ka rezultuar me sulme precize kundrejt shënjestrave të nivelit të lartë.
E udhëzuar nga spiunët dhe inteligjenca artificiale, ushtria izraelite ka nisur zjarr në terrin e natës përmes aeroplanëve luftarakë dhe dronëve të kontrabanduar, duke ia gjymtuar Iranit një pjesë të sistemeve raketore dhe atyre për mbrojtje ajrore.
Me një liri më të madhe për të fluturuar mbi Iran, Izraeli ka bombarduar më pas qendra bërthamore dhe ka vrarë gjeneralë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë iranianë.
Derisa Irani është mobilizuar për t’u hakmarrë disa orë më vonë, kapaciteti i tij – veçse i dobësuar nga sulmet e mëparshme izraelite – është rrënuar edhe më tepër.
Situata është përshkruar kështu pas diskutimeve me 10 zyrtarët dhe ish-zyrtarë izraelitë të inteligjencës dhe sektorit ushtarak, disa prej të cilëve kanë folur për agjencinë e lajmeve Associated Press në kushtet anonime, në mënyrë që të mund të japin më shumë informacione për operacionet.
Disa prej pretendimeve të tyre nuk kanë mundur të verifikohen. Mirëpo ish-udhëheqësja e kërkimeve në agjencinë izraelite të spiunimit, Mossad, Sima Shine ka konfirmuar skeletin e sulmit, duke thënë se ka pasur informacione të brendshme se si është planifikuar dhe ekzekutuar ai.
“Sulmi është kulminacion i shumë viteve të punës së Mossadit për të shënjestruar programin bërthamor të Iranit”, ka thënë Sima Shine, ish-drejtoreshë për kërkime në Mossad, dhe tani është analiste në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare.
Doza e befasisë është shtuar për shkak të bindjeve të zyrtarëve iranianë se Izraeli nuk do të kryente ndonjë sulm, përderisa Irani ka qenë i angazhuar në bisedime me Shtetet e Bashkuara lidhur me programin e avancuar bërthamor.
Ndonëse ishte planifikuar një rund i gjashtë i takimeve mes dy vendeve të dielën në Oman, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka aktivizuar operacionin “Luani në ngritje” të premten.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka qenë i njoftuar për nisje të sulmit.
Netanyahu ka thënë ndër vite se neutralizimi i programit bërthamor të Iranit është jetik për sigurinë e Izraelit, prandaj Izraeli ka ndërmarrë veprime për të dobësuar kapacitetet e Iranit për pasurim të uraniumit në gradën ushtarake.
Megjithatë, Netanyahu ka thënë se një sulm më agresiv ka qenë i domosdoshëm, pasi Irani ka vazhduar të pasurojë programin e vet, pavarësisht përpjekjeve diplomatike amerikane dhe paralajmërimeve prej vëzhguesve të Kombeve të Bashkuara.
Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khameini, ka bërë thirrje të vazhdueshme për shkatërrim të Izraelit. Liderët politikë iranianë kanë thënë se programi i tyre bërthamor është për qëllime të mbrojtjes, ndonëse është shteti i vetëm pa bombë që pasuron uranium në nivele pothuajse të kategorisë ushtarake. REL