Në fjalën e tij, Guvernatori Ismaili prezantoi reformat që ka ndërmarrë BQK-ja për përmbushjen e kritereve të SEPA-s, përfshirë miratimin e tre ligjeve kyçe dhe mbi 20 akteve nënligjore, si dhe dorëzimin e para-aplikimit në fund të vitit 2024. Ai nënvizoi rëndësinë e përgatitjes teknike dhe bashkëpunimit me sektorin bankar për të mundësuar anëtarësimin e suksesshëm të Kosovës në këtë zonë të rëndësishme pagesash.
Guvernatori Ismaili theksoi se SEPA nuk është vetëm një reformë teknike, por një hap strategjik drejt integrimit ekonomik evropian, që sjell përfitime konkrete si ulje të kostove, transparencë më të madhe dhe lehtësim të tregtisë dhe investimeve. Sipas vlerësimeve, përfitimet vjetore për qytetarët dhe bizneset e Kosovës pritet të tejkalojnë 55 milionë euro.
Ai gjithashtu vlerësoi mbështetjen institucionale vendore si dhe institucioneve ndërkombëtare, ndërsa theksoi rolin e Bankës së Italisë për zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta TIPS Clone, si pjesë e rëndësishme e përgatitjes për SEPA.