Kushtetuesja ”rrëzon” ankimimin e PD-së për portin turistik të Durrësit

Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë padinë e deputetëve të Partisë Demokratike lidhur me projektin e portit turistik të Durrësit, duke argumentuar se nuk janë paraqitur arsye të mjaftueshme kushtetuese për shfuqizimin e ligjit dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave. Në padinë e depozituar, deputetët e opozitës pretendonin se zhvilluesi i projektit ishte përzgjedhur pa garë, duke dëmtuar konkurrencën.

Rezervo bileten tënde tani me ofertën më të mirë!

Megjithatë, Gjykata e hodhi poshtë këtë pretendim, duke argumentuar se zgjedhja e investitorit ishte pjesë e një marrëveshjeje ndërkombëtare me Emiratet e Bashkuara Arabe, e miratuar me ligj.

Gjykata konstatoi gjithashtu se menaxhimi i hapësirave publike nga investitori strategjik mbetet në diskrecionin e pushtetit vendor. Sa i përket lehtësive fiskale të dhëna për projektin, vendimi thekson se ato nuk i japin investitorit një avantazh të padrejtë konkurrues, pasi shteti zotëron 33% të aksioneve dhe përfiton proporcionalisht nga dividentët.

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se kishte juridiksion për shqyrtimin e ligjit, por jo për VKM-të e miratuara në kuadër të projektit, duke i konsideruar ato si akte individuale.

Pas analizës së pretendimeve të paraqitura nga opozita, shumica e tyre u rrëzuan, pasi u konsiderua se nuk kishin bazë të mjaftueshme ligjore ose nuk hynin në juridiksionin kushtetues.

Me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën, duke i hapur rrugë vijimit të projektit.

Vendimi i arsyetuar pritet të publikohet brenda afateve ligjore.

Kjo është hera e dytë që Gjykata Kushtetuese rrëzon një padi të deputetëve të opozitës për këtë çështje.

Më parë, më 16 qershor 2023, ajo kishte refuzuar një kërkesë të ngjashme të paraqitur nga 37 deputetë të opozitës, të cilët kundërshtonin marrëveshjen e nënshkruar mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për ndërtimin e marinës turistike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *