Partitë politike para presidentes Vjosa Osmani sot kanë prezantuar datat e preferuara për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, të cilat pritet të mbahen në muajin tetor.
Ndryshe nga partitë tjera, VV-ja në takim ka prezantuar idenë që zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e parakohshme nacionale të mbahen në të njëjtën datë. Megjithatë, partitë tjera nuk janë pajtuar me një propozim të tillë.
Pas takimit me partitë politike, Precedenca ka njoftuar se data për zgjedhje lokale do të mbahen në ditët në vijim.
Përmes një njoftimi për media, Presidenca ka treguar se presidentja Osmani do të veprojë konform kompetencave të saj kushtetuese.
“Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka dëgjuar qëndrimet dhe propozimet e subjekteve politike, prendajnë ditët në vijim, conform përgjegjësive kushtetuese dhe ligjeve në fuqi, do ta caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale”, është thënë në njoftimin e Presidencës.
Pas takimit me presidenten, deputetja e VV-së, Albulena Haxhi ka treguar se në takim është biseduar edhe për mundësinë që këto zgjedhje të mbahen bashkë.
“Nëse zgjedhjet shpallen nesër është mundësi që zgjedhjet të mbahen me datat 5, 12 dhe 19 tetor. Këto ishin dy-tri datat që u përmenden më së shumti. Qëndrimi ynë është që sa më herët që shpallen aq më mirë, duke pasur parasysh që mund të shkohet në balotazh. LVV-ja ka nisur me shpalljen e kandidaturave. Në komunat që udhëheqim do të vazhdojmë me kryetarët e njëjtë. Shumë shpejt do t’i kemi të gjitha kandidatët për kryetarë”, ka thënë ajo.
Kurse, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se PDK nuk kundërshton as datat tjera.
“Unë e njoftova presidenten dhe të pranishmit se të gjitha datat janë të pranueshme. Por preferenca ime ishte 12 ose 19 tetor. Nuk ka shumë dallime te pjesa e datave të partive”, ka thënë Krasniqi.
Preferencën e saj e ka treguar edhe AAK-ja.
Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se në takim ka propozuar 12 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
“Të dashur qytetarë, Sot, në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja e Republikës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, për caktimin e datës së zgjedhjeve komunale, propozova që këto zgjedhje të mbahen më 12 Tetor 2025. Kjo datë është plotësisht në përputhje me afatet ligjore. Shpresoj që Presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe të përfillë këtë propozim”, ka shkruar Haradianj në profilin e tij në “Facebook”.