Është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit për ndërveprueshmëri dhe siguri në Komunikim (CISMOA), në mes të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe drejtorit të Komandës së Forcave Amerikane për Evropë (J6 EUCOM), Gjeneral Major John Phillips.
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka pritur sot në takim gjeneral Major John Phillips, drejtor i Komunikimit dhe Kibernetikës në EUCOM.
“Fillimisht Gjeneral Jashari falënderoi Gjeneralin Phillips për bashkëpunimin korrekt dhe profesional në mes të FSK-së dhe EUCOM. Pastaj u diskutua për rreziqet nga sulmet kibernetike dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë së informacionit dhe komunikimit. Gjeneral Major Phillips përgëzoi Gjeneral Jasharin për arritjet të cilat që janë bërë në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, gjatë këtij takimi Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe Drejtori i J6 EUCOM, Gjeneral Major John Phillips, përmes një ceremonie zyrtare nënshkruan marrëveshjen e Bashkëpunimit për Ndërveprueshmëri dhe Siguri në Komunikim (CISMOA).
Tutje, në njoftim theksohet se kjo marrëveshje është e një rëndësie të veçantë pasi që mundëson shkëmbimin e informacioneve të sigurta, kriptografike dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar të mbrojtjes nga FSK.
“Marrëdhëniet e FSK-së me aleatët e saj strategjikë janë të rëndësishme në fuqizimin dhe zhvillimin e saj e në linjë me këtë Komanda e Forcave Amerikane për Evropë (EUCOM) do të vazhdojë të luajë një rol kyç në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes”, bëhet e ditur në njoftim.