Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka arritur në Moskë më 7 maj, ku do të marrë pjesë në Paradën e Fitores në Sheshin e Kuq.
Pasi arriti në kryeqytetin rus, Vuçiq shkroi në Instagram se ishte “kthyer në Moskë pas shumë vjetësh”.
“Krenar me luftën antifashiste të popullit serb dhe mirënjohës për ndihmën e madhe që kemi pasur nga Ushtria e Kuqe gjatë
Avioni i tij, gjatë udhëtimit drejt kryeqytetit rus më 7 maj, u ndal fillimisht në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, sipas Radiotelevizionit të Serbisë, që iu referuar agjencisë Tanjug.
Sipas RTS-së, avioni me të cilin po udhëtonte Vuçiqi, më pas ka vazhduar fluturimin drejt Moskës.
Sipas Kremlinit, më 9 maj është paraparë një takim dypalësh ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, raportoi RTS.
Në fillim të marsit, Vuçiq njoftoi se do të merrte pjesë në paradën ushtarake me rastin e Ditës së Fitores kundër fashizmit, pas një bisede telefonike me Putinin.
Rusia më 9 maj shënon 80-vjetorin e fitores kundër fashizmit në Luftën e Dytë Botërore me një paradë ushtarake në Sheshin e Kuq në Moskë, si dhe me një sërë aktivitetesh të tjera.
Paralajmërimet për udhëtimin e presidentit serb në Rusi kanë ngjallur reagime edhe nga institucionet evropiane.
Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, më 29 prill deklaroi në një konferencë për media se “është në dorën e presidentit të Serbisë të vendosë për shkuarjen në Moskë”, por shtoi se, nëse Vuçiq shkon atje, ajo do ta ketë “shumë më të vështirë t’i ndihmojë Serbisë të qëndrojë e përkushtuar në rrugën evropiane”. REL