Organizuar nga Shoqata Kulturore “Ditët e Agimit”, dhe nën përkujdesjen e Komunës së Gjilanit, sot u mbajt manifestimi tradicional “Ditët e Agimit”, për nder të jetës dhe veprës së heroit Agim Ramadani, ngjarje kjo në të cilën mori pjesë Kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Për heroin Agim Ramadani, kryeministri theksoi se është ndër dëshmorët e rënë në luftën çlirimtare të popullit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, teksa shtoi se dëshmorët e kombit nuk janë të përjetësuar në kujtesën tonë kolektive dhe në historinë e Kosovës vetëm për shkak të aktit të tyre të rënies, por edhe për aktivitetet e tyre sa ishin gjallë, angazhimit dhe veprës së tyre në totalitetin e saj.
“Agim Ramadani është me profilin më të gjithanshëm: trashëgimia ushtarake, politike dhe artistike e të cilit vazhdon ende të na befasojë, teksa shohim fotografitë, poezitë, pikturat dhe dorëshkrimet e tij. Agim Ramadani ishte pra, poet, piktor, aktivist politik, strateg ushtarak, si dhe një patriot me shpirt artisti e fort frymëzues edhe për gjeneratat e sotme sikurse për shoqërinë e tij dikur”, ka thënë Kurti, thuhet në komunikatën e Qeverisë.





