Në qendër të qytetit, në Komunën e Leposaviqit, sot u hap pika e re, e katërta në këtë komunë, e Postës së Kosovës, në objektin e rikthyer nën menaxhim të Postës së Kosovës
Kryeministri Kurti përgëzoi dhe falënderoi Postën, Ministrinë e Ekonomisë dhe Komunën e Leposaviqit për punën. Ai tha se hapja e zyrës së re në pronën e rikthyer, është bashkëdyzim i ligjshmërisë dhe cilësisë. “Ata operatorët e pa licencuar që kanë funksionuar më herët janë mbyllur dhe tash e kemi Postën e Kosovës ku përveç dërgesave të zakonshme të postës mund të pranohen edhe mjete financiare në euro për qytetarët e Leposaviqit. Ky është një lajm i mirë edhe për banorët e komunës, por edhe për shërbimin postar publik të Republikës së Kosovës”, u shpreh kryeministri.
Më tej, ai theksoi se dikur Posta e Kosovës ka operuar me humbje, kurse tash me Kryeshefen e re, Nora Rracin, ajo operon me fitim, dhe përveç kësaj ka shtrirje territoriale gjithandej, anekënd komunave të Kosovës dhe përbrenda komunave, përfshirë edhe në zonat të cilat janë më larg qyteteve dhe qytezave.

