Një aksident me fatalitet ka ndodhur sot rreth orës 04:30 në magjistralen Prishtinë-Ferizaj.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila njoftoi se si pasojë e këtij aksidenti, një person ka humbur jetën ndërsa një tjetër është lënduar.
“Sot rreth orës 04:30, ka ndodhur një aksident trafiku në rrugën Prishtinë-Ferizaj, ku ka qenë i përfshirë një automjet. Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore kanë pësuar dy persona, njëri nga të cilët nuk ka arritur t’i përballojë plagët dhe ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës (mashkull) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Rasti po hetohet nga zyrtarët e njësitit të trafikut rajonal”, tha Ahmeti.