Kryeministri në detyrë Albin Kurti, mori pjesë në pritjen lamtumirëse të organizuar për ish të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka. Me këtë rast, iu urua mirëseardhja edhe të ngarkuarit të ri me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki.
“Lamtumirat janë gjithmonë të hidhura, por ato ofrojnë gjithashtu një mundësi për të reflektuar – këtë herë për vitet e thellimit të lidhjeve dhe arritjeve që i kanë bërë bashkë vendet tona. Jam i nderuar që jam këtu sonte për të njohur kontributin e të Ngarkuarit me Punë në largim, z. Keisuke Yamanaka, dhe për të mirëpritur ngrohtësisht z. Hiroyasu Tanigaki, ndërsa vazhdojmë të ndërtojmë këtë partneritet të fortë dhe në rritje”, u shpreh kryeministri Kurti.
Ai shtoi se Japonia mbetet një nga miqtë tanë më të ngushtë dhe Kosova është krenare që mbështet vizionin e Japonisë për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur, dhe ne aspirojmë të jemi partneri më i besueshëm i Japonisë në Evropën Juglindore, teksa kemi shënuar tashmë gjashtëmbëdhjetë vjet të marrëdhënieve diplomatike me Japoninë që është një nga vendet e para aziatike që njohu pavarësinë e Kosovës, ka thënë Kurti.
